Projekte turizmi në Gjirokastër

23/11/2011 00:00

Rreth 25 mijë turistë e vizitojnë cdo vit Gjirokastrën. Megjtihëse numri i tyre ka ardhur duke u rritur me kalimin e viteve të ardhurat për qytetin janë të papërfillshme.

Gjirokastra ka shërbyer si destinacion tranzit i turistëve që vizitojnë jugun e vendit. UNESCO ka tërhequr vëmendjen për mungesën e një plani të unifikuar turistik që do t’i sillte të ardhura qytetit.

Autoritetet lokale thonë se po përgatiten që sezoni i ri të ketë një vizion të ri dhe të zgjasë kohëqendrimin e turistëve në qytet.

Zyra e Administrimit të qytetit muze po përgatit një broshurë informuese duke orientuar turistët se cfarë mund të vizitojnë në Gjirokastër dhe rrethina për tri ditë.

Ndërkaq Bashkia e qytetit bën me dije se ka hartuar krahas planit të zhvillimit turistik edhe një kalendar vjetor aktivitetesh që mund të orientojnë një fluks të organizuar dhe me një kohëqëndrim më të madh se zakonisht. Specialistët e turizmit kanë tërhequr vëmendjen edhe në planin e rritjes së shërbimeve. Sipas ekspertëve të turizmit kapacitetet pritëse janë të pamjaftueshme për një fluks të menjëhershëm.

Top Channel