Franca, e shokuar nga vrasja e minorenes

22/11/2011 00:00

Qeveria franceze ka kritikuar ashpër sistemin gjyqësor të vendit për
menaxhimin e procesit të një adoleshenti, që akuzohet për vrasjen e një
vajze të shkollës së tij.

Mathieu M, 17 vjec, kishte kaluar katër muaj në burg për dhunimin e një vajze minorene në jug të Francës dhe ishte nën mbikëqyrje gjyqësore gjatë kohës që kreu krimin.

Shkolla ku ai studionte ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për të kaluarën e tij problematike.

Të premten e kaluar, trupi i Anges, 13 vjece, u gjet në një pyll në afërsi të shkollës. Ajo ishte dhunuar dhe më pas djegur.

Mamaja e saj, Paola Marin ka thënë se ajo nuk do të kishte vdekur po të mos kishte qenë për neglizhencën e treguar nga shkolla.

Ndërsa i ati i viktimës, Frederic Marin ka deklaruar se shkolla kishte qenë në dijeni për të kaluarën e 17-vjecarit, përfshirë problemet për agresione seksuale.

Drejtori i shkollës, Philippe Bauëens ka reaguar duke thënë për stacionin radiofonik francez “RTL”, se shkolla kishte dijeni se djali kishte pasur probleme me ligjin, por nuk e dinte natyrën e tyre.

Vrasja brutale e 13-vjecares Agnes Marin ka shokuar mbarë opinionin publik francez. Shumë prindër janë shprehur të shqetësuar për edukimin e fëmijëve dhe sigurinë në shkolla.

Top Channel