BE investon 525 milionë euro për startup-et e mikroçipave, synon të ulë varësinë nga SHBA dhe Azia
Demokratët kanë shënuar një fitore të rëndësishme në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, duke marrë kontrollin e Kongresit dhe duke i shkaktuar një goditje të fortë Partisë Republikane të presidentit Donald Trump.
Rezultati shihet si një sinjal i qartë pakënaqësie ndaj administratës Trump dhe politikave të saj gjatë dy viteve të fundit. Edhe pse partia e presidentit në detyrë zakonisht përballet me humbje në zgjedhjet e mesmandatit, këtë herë përmasat e rezultatit kanë ngritur pikëpyetje për të ardhmen politike të republikanëve. Sipas analizës së BBC-së, janë pesë faktorë kryesorë që shpjegojnë humbjen e thellë të republikanëve.
Inflacioni dhe rritja e çmimeve të produkteve bazë kanë qenë ndër shqetësimet kryesore të votuesve amerikanë. Çmimet e ushqimeve, karburantit dhe energjisë kanë rënduar buxhetet familjare, duke shtuar pakënaqësinë ndaj qeverisë. Sipas sondazheve të cituara në analizë, 79% e votuesve deklaruan se inflacioni u kishte shkaktuar vështirësi të moderuara ose të mëdha gjatë vitit të fundit.
Më shumë se 60% e të anketuarve ia atribuuan rritjen e çmimeve politikave të presidentit Trump. Kjo pakënaqësi ndikoi edhe në ndryshimin e votës së një pjese të elektoratit, i cili këtë herë mbështeti demokratët.
Një tjetër faktor që ndikoi në rezultatin zgjedhor ishte lufta me Iranin, e nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli në shkurt. Konflikti dhe mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit nga Teherani shkaktuan tronditje në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke sjellë rritje të çmimeve të karburanteve.
Lufta rezultoi jopopullore në mesin e një pjese të madhe të amerikanëve. Rreth 63% e të anketuarve mendonin se SHBA-ja kishte marrë vendimin e gabuar për ndërhyrjen ushtarake ndaj Iranit.
Një nga avantazhet kryesore të demokratëve ishte strategjia më e përqendruar e fushatës. Kandidatët demokratë e orientuan komunikimin drejt çështjeve që shqetësonin drejtpërdrejt qytetarët, si kostoja e jetesës, kujdesi shëndetësor dhe korrupsioni.
Në Teksas, James Talarico arriti të tërhiqte vëmendjen me mesazhin e tij, ndërsa në Karolinën e Jugut, ish-pediatrja Annie Andrews përqendroi fushatën te problemet e sistemit shëndetësor.
Në Michigan, Abdul El-Sayed përdori si mesazh kryesor nevojën për të luftuar ndikimin e parave në politikë. Në të kundërt, disa kandidatë republikanë u kritikuan për fushata të dobëta dhe për mungesë përqendrimi te problemet konkrete të votuesve.
Pakënaqësia ndaj presidentit Donald Trump u kthye në një pengesë të madhe për kandidatët republikanë. Rritja e çmimeve dhe lufta me Iranin ishin dy prej çështjeve për të cilat votuesit e lidhnin drejtpërdrejt përgjegjësinë me Shtëpinë e Bardhë. Edhe brenda elektoratit republikan, vlerësimet për presidentin kishin pësuar rënie.
Trump u përpoq ta kthente fushatën në një referendum për mbështetjen ndaj tij, duke u kërkuar votuesve ta imagjinonin atë në fletën e votimit. Megjithatë, kjo strategji duket se pati efekt të kundërt.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte ndryshimi i preferencave të votuesve afroamerikanë. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump kishte arritur të siguronte mbështetje më të madhe nga këto komunitete krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Por në zgjedhjet e fundit, kjo tendencë duket se është përmbysur.
Demokratët fituan në të tria distriktet e Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë hispanike përgjatë kufirit mes Teksasit dhe Meksikës.
Top Channel