Xhemal Mato – Sul Bregu jeton në një fshat të Tiranës. Ai ka pesë fëmijë dhe jeton me
prodhimet e tokës, produktet nga bagëtia dhe nga një ngastër me pemë
frutore dhe pyll.

Nga puna e këtij viti, ai nxori më pak lekë se vitet e tjera. Pjesën kryesore të tyre vendosi ta përdorë për të ndërtuar shtëpinë dhe për të blerë një makinë të re. Pjesën tjetër e hoqi mënjanë për të blerë ilaçe për fëmijët dhe gruan, të cilët vitet e fundit i sëmuren gjithnjë e më shpesh. Mjeku i fshatit i ka thënë se uji që përdorin për të pirë është i ndotur nga shkarkimet e WC së shtëpisë së tij, prandaj ai duhet të investojë për të hapur një gropë septike për t’i grumbulluar dhe kontrolluar këto ujëra, por hë për hë, ai mendon se ky investim duhet bërë më vonë. Plehrat e shtëpisë prej vitesh hidhen në një qoshe të oborrit dhe tani ato janë shtuar dhe përhapur aq shumë sa që duket e pamundur të pastrohen. Një vit më parë, njëra prej lopëve të tij i ngordhi, se kishte futur në bark një fletë plastike 3 metra të gjatë. Shirat e rrëmbyeshëm të dimrit e frynë përroin që i rrëmbeu 500 metra katrorë tokë nga arat e tij. Prita mbi përrua që dikur zbuste vrullin e ujit, ishte prishur dhe rindërtimi i saj gjithashtu kërkon para. Edhe zjarret rrotull, janë përsëritur shpesh në ditët e nxehta të verës. Këtë verë i ra zjarri dhe ia shkrumboi gjysmën e pyllit. Djali i tij që merrej më parë me pyllin, tani merret me rrugën. Me këto dëme në pasuritë e tij natyrore, ai këtë vit nxori vetëm gjysmën e parave krahasuar me ato që nxirrte para pesë vjetësh. Me dëshpërim ai po e ndjen se nga viti në vit, po keqësohen gjërat, por s’e di se pse po i ecën kaq ters.

Gjithë kjo histori dhe vetë Sula janë imagjinare, por pjesë të tyre ndodhin realisht në ekonominë e shumë familjeve në zonat ku problemet mjedisore janë përkeqësuar. Ndërkohë që kjo histori në përmasa globale po ndodh për shtëpinë tonë të madhe, Shqipërinë.

Duke parë projektbuxhetin që është parashikuar për Ministrinë e Mjedisit për vitin 2012, del qartë se kjo politikë e shpërndarjes së parave po i shton borxhet në burimet natyrore: në tokën, ujin, ajrin, pyjet dhe kafshët, mbi të cilat e mbështet jetën çdo shoqëri. Mosruajtja, shkatërrimi dhe humbja e këtyre burimeve jetësore, jo vetëm që nuk e bën ekonominë të qëndrueshme, por dobëson dhe investimet direkte, duke përkeqësuar gjithnjë e më shumë ekonominë.

Ministria e Mjedisit, prej vitesh nuk është më një ministri thjesht politikëbërëse, pra që mund të kërkojë lek vetëm për paga të punonjësve të administratës. Ajo ka në ngarkim dhe menaxhim disa prej pasurive më të mëdha të një vendi si pyjet, parqet kombëtare, ujërat dhe peshkimin.

Dihet qartë tashmë se erozioni drastik i tokës sonë (25-30 ton/ha/vit, nga mÑ‘ tÑ‘ lartët nÑ‘ botÑ‘), rrëshqitjet dhe përmbytjet e shumta gjatë viteve të fundit, lidhen direkt me shpyllëzimet masive.

Për vitin 2012, buxheti i shtetit ka planifikuar për pyllëzime vetÑ‘m 500 milionë lekë (që mund të arrijnë mbjelljen e vetëm 250 hektarë terren (nëse me të vërtetë këto do të mbillen), ndërkohë që para viteve ‘90 ne kemi pyllëzuar rreth 3000 ha/vit, dhe sot është e domosdoshme të pyllëzohen tÑ‘ paktÑ‘n 1000 ha/vit (se kemi ende rreth 350,000 hektarë toka pyjore tÑ‘ ashtuquajturat nÑ‘ kadastër toka me bimësi pyjore). Pra me këtë hiç “investim” në pyje apo në prita malore, i kemi të sigurta përmbytjet, rrëshqitjet dhe erozionin e tokave dhe për vitet që do vijnë. Kujtojmë se kostoja e përmbytjes së Shkodrës ishte sa gjysma e buxhetit të shtetit (ndonëse nuk u pagua). Pra duke mos investuar për pyjet sot, nesër shteti do të duhet të paguajë dhjetëfishin për pasojat që sjell ky degradim mjedisor. (Nëse vërtet qeveritë e nesërme do ta ndiejnë apo do të detyrohen ta realizojnë këtë përgjegjësi).

Para disa vitesh, për mungesë fondesh u hoqën nga Ministria e Mjedisit vrojtuesit e pyjeve. Ata ishin mjaft të nevojshëm veçanërisht në identifikimin e vatrave të zjarrit që në fillimin e tyre. Këtë verë u pa qartë rezultati i këtyre shkurtimeve: Zjarret dogjën shumë herë më tepër pyje se në vitet e mëparshme. Pra u kursyen, le të themi, 10 mijë dollarë për pagat e tyre dhe Shqipëria humbi 10 milionë dollarë pasuri natyrore, pa shtuar këtu kostot e tjera anësore që sjellin këto djegie. Shqipëria ka rreth 15 parqe kombëtare, me vlera të tilla natyrore që duhet të mbrohen veçanërisht, por për to s’ka lekë dhe asnjë park kombëtar nuk ka një ruajtës, pa le më një ekip menaxhues. Në vendet fqinje parqet natyror janë bërë burime fitimesh për ekonominë nga turizmi në natyrë.

E njëjta gjë po ndodh në peshkim. Reduktimi në maksimum i inspektorëve ka lejuar peshkimin e pakontrolluar dhe ilegal (me dinamit dhe mjete të tjera shfarosëse) dhe ja rezultati: Rezervat e peshkimit janë reduktuar në 10 herë më pak se në vitet ‘90.

Me të drejtë Ministria e Shëndetësisë kërkon më shumë nga buxheti i shtetit për të përmirësuar sistemin shëndetësor në vendin tonë, por dihet se rreth 60 për qind e sëmundjeve shkaktohen nga ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit. Sëmundjet kanceroze janë shtuar me 3500 raste të reja në vit. Kostoja në spitale dhe në ilaçe për këto sëmundje është shumë e madhe dhe në rritje. Kostoja për familjarët gjithashtu. Nëse do të investohej për përmirësimin e mjedisit nga këta ndotës, do të kushtonte dhjetëra herë më pak dhe do të reduktoheshin shumë shpenzime në sistemin shëndetësor. Kjo politikë e dhënies së buxhetit për pasojat dhe jo për shkaqet, ngjason me atë që bën një amvisë në shtëpinë që po i përmbytet nga uji dhe në vend që të mbyllë çezmën, blen kova për të hequr ujin.

Nga grafiku i shpërndarjes së buxhetit për vitin 2012 del se Ministria e Mbrojtjes kishte një buxhet 10 herë më të madh se Ministria e Mjedisit. Pra sado që të thuhet se Mjedisi është prioritar për qeverinë, sasia e lekëve që i jepen tregon me shifra të kundërtën. Argumentimi se përse ministria që “mbron Shqipërinë” merr 10 herë më shumë, është se tashmë kemi detyrime ndaj NATO-s. Por realisht ne s’po e mbrojmë Shqipërinë. Në vitet e fundit, në bregdetin e Lezhës, Shqipëria ka humbur rreth 40 hektarë toka se ia ka pushtuar deti. Pra tokat tona nuk po na i pushton dhe shkreton pushtuesi i huaj, por degradimi mjedisor. A duhet të mbrojmë Shqipërinë dhe nga ky “armik” i ri apo tërë buxhetin ta përdorë për të çuar ushtarët shqiptarë në Afganistan?

Gjithë këto argumente për një shpërndarje me largpamësi të buxhetit, shpesh i kundërvihet argumenti se “ne jemi një shtet i vogël, kulaçi ynë buxhetor është i vogël, shtojmë dhe krizën globale. Të gjitha këto na detyrojnë që ndarjen e kulaçit ta bëjmë në këtë mënyrë”. Por përsëri na del përpara një shqetësim real. Vërtet kjo politikë mund të na shpëtojë një vit po më tej, në të ardhmen, kur burimet tona natyrore dhe jetësore do të na varfërohen dhe shkatërrohen në minimum, çfarë do të ndodhë me ekonominë tonë? Mos është koha që të ndryshojmë mënyrën e investimit të parave të buxhetit jo vetëm për vitin që vjen por dhe për vitin e pestë pas tij?

Obama, në strategjinë e tij për të futur politikat mjedisore të zhvillimit theksonte: “Ndonjëherë ju duhet përkohësisht të dështoni para se të mund të keni sukses”. “Dhe shpesh kjo nuk merr vetëm angazhimin e një novatori, por angazhimin e një vendi dhe këtu është e nevojshme mbështetja e qeverisë”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel