Krimi i organizuar shqetëson ndërkombëtaret

18/11/2011 09:45

Situata e krimit të organizuar në Shqipëri alarmon ndërkombëtarët. Ekzekutimet e fundit të ndodhura në mjediset më publike të qyteteve kryesore të vendit, shumica e të cilave ende nuk kanë autor, kanë shokuar shoqërinë shqiptare, por kanë tronditur më shumë strukturat dhe faktorët monitorues vendas dhe ata ndërkombëtarë në Shqipëri.

Siç informon e përditshmja “Shqip”, këto akte kriminale ngjajnë dhe kanë në disa raste ngjashmëri me ato tipike mafioze. Pazbulueshmëria e tyre dhe sidomos heshtja pasuese e institucioneve antikrim dhe përjashtimi për këtë shkak i drejtësidhënies e bëjnë edhe më alarmante situatën në vend.

Në këto rrethana dhe në brutalitetin që dëshmon krimi në Shqipëri, dëshmohet hapur se janë “lënë” jashtë loje strukturat antikrim, si dhe ato të sigurisë. Kjo panoramë dhe ngjarjet tronditëse brenda saj, janë bërë shqetësim i dukshëm për partnerët ndërkombëtarë dhe sidomos organizmat antikrim në BE.

Natyrisht, goditja fatale i është dhënë shtetit dhe sidomos drejtësisë, në rastin e ekzekutimit të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në qytetin e Vlorës dhe zyrtarit të shërbimit inteligjent, Isa Çopa në qytetin e Durrësit. Këto dy vrasje konsiderohen më të mistershmet dhe më të frikshmet në llojin e tyre të ndodhura gjatë gjashtëmujorit të fundit.

Ato dëshmojnë një kompleksitet kriminal dhe reflektojnë potencën që ka krimi në vend, sidomos ai që pretendon pronësi mbi territore dhe troje e që përbëjnë aset. Në rastin e vrasjes ende të pazbardhur të ish–titullarit lokal të Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës, krimi dëshmon se është i pamëshirshëm dhe i patrembur edhe në përballje me shtetin.

Ekspertët europianë që asistojnë strukturat antikrim në Shqipëri në raportet e tyre konfidenciale nënvizojnë faktin se krime të tilla tronditëse dhe me jehonë edhe në vendet fqinje, mbesin të pazbardhura dhe shpesh përfundojnë me dosje të arkivuar. Kjo situatë ka ngjallur reagime të shumta dhe sidomos interesim të posaçëm nga shërbimet inteligjente partnere.

Në takime individuale dhe kontakte zyrtare me titullarë dhe përfaqësues të ndryshëm, deri edhe pjesëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe Rendit, ekspertë të huaj kërkojnë nga strukturat e sigurisë kombëtare të jenë maksimalisht të interesuara për të njohur rrethanat dhe motivet për të cilat u kryen krimet e mësipërme dhe për të riparë strategjinë reaguese. Për sa më sipër, interesim të veçantë po dëshmojnë edhe përfaqësues të akredituar në strukturat diplomatike të huaja në Tiranë pranë autoriteteve më të larta shtetërore shqiptare.

Ndërkohë, ekspertë të sigurisë kombëtare po diskutojnë dhe sugjerojnë edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku një nga çështjet e rëndësishme që duhet të diskutohet është rritja e aktivitetit, agresivitetit të krimit të organizuar, shpeshtimi i tyre dhe pasurimi i frikshëm i strukturave kriminale.

Madje, sipas këtyre përfaqësuesve, kërkohet që drejtues të Shërbimit Informativ Shtetëror të japin të dhënat që disponojnë për situatën aktuale të krimit të organizuar, si dhe të mund të kontribuojnë në informacion për intensifikimin e specializuar të kërkimit dhe hetimit për vrasjet e Vlorës, Durrësit dhe Tiranës.

Ekspertët e huaj të akredituar brenda strukturave diplomatike (oficerët e kontaktit) në raportet e tyre konfidenciale shprehen të shqetësuar për forcimin e netuorkut mes organizatave kriminale lokale dhe rajonale, kryesisht të trafikut të lëndëve narkotike, trafikut të armëve, pastrimit të parave dhe abuzimit me fondet e ndihmës publike etj.

Në raportet ndërkombëtarëve në fjalë, thuhet se vrasjet e bujshme, të klasifikuara si të tipit mafioz, janë një presion i hapur që krimi i organizuar bën mbi shoqërinë shqiptare, kurajën denoncuese të qytetarëve dhe lëvizjen e drejtësisë, strukturat antikrim dhe në veçanti ndaj drejtësisë, e cila konsiderohet dyfish e kapur, dhe e varur nga politika dhe e blerë nga elementët kriminalë.

Në raportet e shërbimeve inteligjente partnere thuhet se Shqipëria ka problematikë të theksuar në lidhje me krimin e organizuar, kryesisht kontrabandën, trafiqet dhe pastrimin e parave. Madje, në një nga raportet në fjalë, thuhet se Shqipëria është e para në rajon për sa i përket pastrimit të parave.

Shërbimet inteligjente partnere nxirrnin edhe fakte tronditëse sa i takon nivelit të korrupsionit dhe dinamikës së pastrimit të parave në Shqipëri. Në raporte theksohet se qindra milionë dollarë qarkullojnë çdo vit në mënyrë informale në Shqipëri. Madje ky informalitet që vjen nga burime jo legale, arrin deri në 800 milionë dollarë. Pra, për çdo vit, në Shqipëri qarkullojnë 800 milionë dollarë që vijnë kryesisht nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Në të tjera raporte theksohet se disa ministra të qeverisë nuk u hetuan, për shkak se gëzonin imunitet. Raportet përmendin gjithashtu se korrupsioni vazhdon të lulëzojë në ekzekutiv dhe procedurat tenderuese janë bërë pothuajse të pakontrollueshme dhe të paauditueshme nga organet në varësi të qeverisë.

Ndërkohë që këtij rreziku i bashkohet edhe situata e rëndë e emërimeve nepotike në administratën publike. Gjyqësori si gjithnjë mban normat më të larta të korrupsionit dhe si i tillë ai përbën tashmë një shqetësim të shprehur nga zyrtarët më të lartë të BE-së dhe përfaqësues të huaj.

Top Channel