BE: Liria e medias thelbësore

16/11/2011 20:10

Liria e medias zë vend të rëndësishëm në axhendën politike të Bashkimit Europian me vendet e zgjerimit.

Ky mesazh doli nga takimi i komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule dhe zëvendëspresidentes së KE-së, Neelie Kroes, komisionere përgjegjëse për axhendën dixhitale dhe politikat e medias në BE, dhe me presidentin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek.

“Nuk ka demokraci pa shtyp të lirë. Liria e shprehjes dhe pluralizmi i medias janë në zemër të vlerave të BE-së. Kjo duhet të jetë njësoj e vërtetë për vendet kandidate dhe potencialisht kandidate. Këtë cështje e kam bërë të qartë gjatë vizitës simë në Kroaci, Serbi, Bosnje, dhe do ta përsëris javën e ardhshme në Turqi. Komisioni mund të llogarisë në mbështetjen e të gjitha komiteteve përkatëse dhe delegacioneve të PE-së për ngritjen e standarteve dhe të vetëdijes mbi këtë çështje si brenda BE-së dhe tek fqinjët e saj”, deklaroi Buzek.

Për herë të parë, Komisioni Europian ka ngritur këtë vit një Komitet të Nivelit të Lartë, që kryesohet nga ish-presidenti i Letonisë, Vaira VÄ«Ä·e-Freiberga, dhe një qendër akademike të bazuar në Firence për të reflektuar se si të vijojë më mirë promovimi i lirisë dhe pluralizmit në media.

“Komisioni është duke punuar sistematikisht për të mbrojtur liritë e mediave dhe pluralizmin. Ne e kemi marrë seriozisht këtë jo vetëm brenda kufijve të BE-së, por në të gjitha vendet tona partnere. Takimi i sotëm është një tjetër shenjë e partneritetit të fortë mes Komisionit dhe Parlamentit Europian për të mbrojtur lirinë e medias dhe pluralizmin. Në vitin 2011 Komisioni përdori kompetencat ekzistuese për të mbrojtur lirinë e medias në Hungari. Në një shkallë mjaft të ndryshme, BE-ja ka mbështetur luftën për të tilla liri në Afrikën e Veriut dhe përtej saj. Ne e mbështesim këtë në ligje, nëpërmjet debatit dhe hulumtimit. Ne e mbështesim atë zyrtarisht dhe jo-zyrtarisht dhe ne nuk do të tërhiqemi nga kjo mbështetje”, deklaroi Neelie Kroes.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp thuhet se ky takim me Presidentin Buzek është në vazhdim të konferencës “Fol Hapur”, e cila u zhvillua në maj të vitit të kaluar në Bruksel me gazetarët e Ballkanit dhe Turqisë.

Komisioni vlerëson se kjo konferencë dërgoi një sinjal të rëndësishëm politik ndaj qeverive të këtyre vendeve, pasi u përcollë mesazhi se cështjet që lidhen me lirinë e të shprehurit kanë një rëndësi të madhe në kontekstin e zgjerimit.

Nderkohë që komunitetit të medias iu kërkua që të luajë nje rol më aktiv për të formuar kushtet e një media të lirë në vendet e tyre, në mungesë të zbatimit të rregullores së BEsë.

“Komisioni Europian konsideron se liria e të shprehurit është një nga shtyllat e demokracisë dhe është i bindur se standardet e larta për të mbrojtur lirinë e medias duhet të zbatohen nga të gjitha shtetet”, deklaroi komisioneri Stefan Fule.

Komisioneri Fule ka raportuar në takim mbi masat e reja të BE-së për promovimin e lirisë së shprehjes me vendet e zgjerimit.

Një nga hapat është dhe qasja e re në negociatat e pranimit me vendet kandidate, ku funksionimi i lirisë së medias në terren do të matet nga Komisioni përgjatë gjithë procesit të bisedimeve në kuadër të kapitullit 23, që ka të bëjë me vlerat themelore të BEsë në cështjet e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë.

“Liria e medias është një nga 5 sfidat kryesore në dokumentin vjetor të Strategjisë për zgjerimin dhe situata për secilin shtet pasqyrohet thellësisht në raportet e progresit”, përfundon deklarata e përbashkët për shtyp.

Top Channel