Përkeqësohen marrëdhëniet Rusi-Taxhikistan

15/11/2011 15:55

Rusia lajmëroi se i ka hequr të drejtën emigrantëve të paligjshëm taxhikistanas të punojnë në vend, vetëm disa ditë pasi autoritetet e ish-Republikës Sovjetike burgosën dy pilotë rusë, të cilët kishin shkelur në mënyrë të paautorizuar hapësirën ajrore të shtetit.

Me dhjetëra mijëra taxhikë pritet të deportohen, ndërsa ministri i shëndetësisë kërkoi të martën një pezullim të përkohshëm të së drejtës për të punuar në Rusi prej shtetasve të këtij vendi.

Moska ka protestuar me vendsomëri ndaj burgosjes së pilotëve, të cilët mbahen në një burg taxhik pasi dërguan ndihma në Afganistan. Të ardhurat e emigracionit në Rusi janë një burim jetese për qindra mijëra familje në vendin e varfër të Azisë Qëndore.

Megjithatë, në një deklaratë për shtyp, Presidenti Dmitry Medvediev u tregua i kujdesshëm që të theksonte se nuk bëhet fjalë për një hakmarrje shtetërore, por vetëm një “rastësi”. “Vendimi për të bllokuar emigrantët e paligjshëm taxhik do të ishte marrë edhe pa ngjarjen shqetësuese të javës së shkuar”, deklaroi ai.

Rusia dhe Taxhikistani, republika më e varfër e ish-Bashkimit Sovjetik, janë zyrtarisht vende mike, por marrëdhëniet midis tyre kanë qenë prej kohësh të vështirë, për shkak të divergjencave në trajtimin e minorancave të të dy shteteve në vendet përkatëse.

700 mijë taxhikë janë emigrantë ekonomikë në Rusi ose 10% e banorëve, të shtetit të banuar nga më pak se shtatë milionë persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA