Strauss-Kahn, padi ndaj mediave

14/11/2011 20:40

Avokatët e ish-drejtuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, do të ndërmarrin një proces gjyqësor me akuzën e “dhunimit” të jetës private dhe shpifjes ndaj klientit të tyre.

I shfajësuar nga akuzat e përdhunimit që një gjykatë amerikane ngriti kundër tij dhe me një karrierë të rënuar politike, Strauss-Kahn do të padisë disa gazeta franceze, të cilat spekuluan për ekzistencën e lidhjeve midis tij dhe një rrjeti të prostitucionit në qytetin verior të Lilës.

Gjithashtu, në disa të përditshme është folur edhe për problemet e tij në martesën me Anne Sinclair dhe është paralajmëruar një divorc i afërt. Sipas avokatëve, nëpërmjet padisë, 62-vjeçari nuk synon të nxjerrë përfitime ekonomike, por vetëm të ndërgjegjësojë mediat që të tregohen më të përmbajtura në të ardhmen në lajmet që botojnë kundër tij.

”Ne jemi duke ekzaminuar se çfarë masash do të marrim ndaj disa artikujve të ndryshëm që bien në formën më të ulët të vuajerizmit dhe furnizojnë publikun me një informacion të paligjshëm”, shkruhej në një komunikatë të avokatëve të Strauss-Kahn.

”Asnjë gjykatë apo domosdoshmëri gazetareske nuk mund të përligjë dhe të justifikojë prishjen e konfidencialietit të një hetimi gjyqësor. Asnjë media nuk mund të thyejë parimin e presupozimit të pafajësisë deri në një vendim të kundërt. Disa aspekte të jetës private gjithashtu mbrohen me ligj dhe as kjo nuk është respektuar”.

Top Channel