Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë publikoi sot raportin mbi trafikun e qënieve njerëzore, ku ndaj Kosovës drejtohen jo pak kritika.

Sipas raportit, trafiku i qënieve njerëzore në shtetin e Kosovës përbën një shqetësim serioz.

Kjo, pasi sipas raportit, sistemi gjyqësor shpesh herë nuk zbaton kornizën ligjore të parashikuar për t’u aplikuar ndaj kësaj vepre penale.

Raporti në fjalë e vë theksin tek tre shembuj të keqzbatimit të ligjit: ngritja e aktakuzave për trafikim, ndjekja e dobët penale e trafikantëve dhe dënimet e ulëta për ta.

Shefi i monitorimit të sistemit juridik në Kosovë, Harold Danier, pas publikimit të raportit, dha një seri rekomandimesh për hetuesit kosovarë.

“Ata duhet të specifikojnë dëshminë që lidhet me secilin element të përkufizimit të trafikimit dhe në aktakuza të përfshijnë cdo vepër tjetër penale që lidhet me trafikimin”, sugjeroi Danier.

Nga ana tjetër, prokurori kosovar Besim Kelmendi nënvizoi se trafiku i qënieve njerëzore mbetet një fenomen shqetësues për të gjithë zyrtarët e sistemit të drejtësisë.

“Nxjerrja e elementëve të veprës penale të trafikimit të qënieve njerëzore është një cështje jetike për të gjithë ne prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Kelmendi.

“Ne që merremi me parandalimin e kësaj dukurie kemi nevojë të sqarojmë disa gjëra që në praktikë kanë mbetur për t’u zgjidhur konform ligjeve në Kosovë”, vijoi ai.

Edhe gjyqtari Hamdi Ibrahimi, i qarkut të Prishtinës, vlerësoi se raporti ka pasqyruar në mënyrë reale gjendjen në sistemin gjyqësor kosovar lidhur me këtë fenomen.

Top Channel