“Shqip”: A është ky Ballkani ku duam të jetojmë?

31/10/2011 00:00

A është ky Ballkani ku duam të jetojmë? Kësaj pyetje u përpoqën t’i përgjigjeshin në emisionin e gazetares Rudina Xhunga, “Shqip”, një panel ku bënte pjesë ish-kandidati për president në Maqedoni, Ljubomir Fackovski, historiani Pëllumb Xhufi, publicisti Kim Mehmeti dhe pedagogu Hysamedin Feraj.

Fackovski: Maqedonia, në qendër të udhëkryqit ballkanik

Ish-kandidat për president në Maqedoni, Fackovski foli me pesimizëm për të ardhmen e vendit të tij dhe në të njëjtën kohë që hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e ndryshimit të kufijve.

“Për momentin, vendi im është i lënduar, sidomos nga qëndrimi i ndërkombëtareve që mbështesin Greqinë në çështjen e emrit. Megjithatë, reagimi në Maqedoni bëhet në mënyrë fëminore, nëpërmjet një populizmi absurd për çështjet e identitetit. Dhe në këtë mënyrë ne vetëlëndohemi. Ajo që ndodh, biem më thellë në një rrugë pa krye. Kështu po humbim edhe miqtë. Në këtë mënyrë, nuk shoh se si mund të ndihmojmë rajonin për të përmirësuar marrëdhëniet dhe gadishullin ku të gjithë jetojmë”.

Duke folur për ndryshimin e kufijve, Fackovski shtoi se: “Ndryshimi i kufijve nuk është më një çështje në Ballkan, me përjashtim të rastit të Kosovës së Veriut, por edhe atje nuk besoj se do të ndodhë ndonjë ndryshim. Lihet e hapur nga serbët si mundësi, por nuk besoj se është një mundësi reale me të vërtetë. Problemi i vërtetë është se Ballkani ka një tjetër problem, kësaj radhe politik. Elitat politike që drejtojnë përpiqen t’i mbajnë për vete kontaktet me Bashkimin Europian, duke vetizoluar shtetet e tyre. Në Maqedoni, kjo është më aktuale se kudo”.

Një figurë e lartë e politikës maqedonase, Fackovski foli me habi për qëndrimin politik të partive shqiptare në Maqedoni.

“Shqiptarët janë pjesë e pushtetit në Maqedoni. Partia e tyre më e madhe është pjesë reale e një pushteti, që me entuziazëm mbron autoritarizmin, populizmin dhe nacionalizmin absurd. Qëndrimi i tyre është motiv i madh çudie për mua”, tha ai.

Në përmbledhje të idesë, Fackovski sulmoi qeverinë e tij, duke thënë se: “Vetëm në Maqedoni dhe Bjellorusi ka ende të burgosur politikë nëpër burgje. Kjo është skandaloze. Për SHBA-në dhe BE-në problem kryesor është Kosova, por ne rrezikojmë të shndërrohemi në një vrimë të zezë”.

Xhufi: I gjithë Ballkani në krizë serioze

Historiani Pëllumb Xhufi, e konsideroi Ballkanin si një pjesë të kontinentit që në thelb nuk ndryshon kurrë. “Ballkani është i njëjti që nga koha e Alekandrit, me nacionalizmat që kanë motivuar gjithmonë dhe kudo forca lëvizëse të mëdha. Kriza e Ballkanit është politike. Por, për të ngushëlluar profesorin maqedonas, në krizë është çdo shtet në një mënryë apo një tjetër. Në rastin e Greqisë, kriza ekonomike po shndërrohet në një krizë ekzistencialiste”, u shpreh Xhufi.

Megjithatë, sipas  Xhufit, mundësia për bashkëjetesë është një opsion tërësisht reale. “Kemi bashëjetuar me sukses pesë vjet në Perandorinë Osmane dhe dhjetë në atë Bizantine. Historia jonë është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme. Po të shihni me kujdes historinë, problemi i hartave, problemi i nacionalizmave është shndërruar në kartë që hidhet gjithmonë në Ballkan për të devijuar idenë nga krizat ekonomike, sociale e politike. Mendoj se këtu problemet mund të zgjidhen me më shumë prezencë të Bashkimit Europian. Të mos harrojmë që ëndrra e përbashkët në fillimin e viteve 1990 ishte Europa”, theksoi Xhufi.

Feraj: Duhet të ndryshojnë hartat, vetëm kjo e zgjidh problemin

“Një herë e mirë duhet të shohim realitetin në sy, të mos jemi politikisht korrektë dhe të pranojmë përfundimisht se më këto kufij në Ballkan do të ketë gjithmonë konflikte”, shpreh idenë e tij të guximshme profesori Hysamedin Feraj.

“Popujt e Ballkanit kanë një identitet të fortë dhe të vjetër kombëtar dhe nuk mund të pajtohen të jetojnë si pakica në vende të tjera. Problemi nacional i pazgjidhur është një gangrenë, një kancer pa shërim për kombet tona. Ndryshimi i kufijve nuk duhet të jetë një tabu. Ndodhi në Bashkimin Sovjetik, në Jugosllavi, në Çekosllovaki dhe duhet të ndodhë edhe këtu. Shihni historinë e gadishullit, nuk ka patur luftëra për ide politike. Askujt nuk i ka interesuar nëse është monarki apo republikë. Askujt s’i ka interesuar komunizëm apo kapitalizëm. Të gjithë janë vrarë dhe përgjakur vetëm për kufijtë, shekuj pas shekulli”, deklaroi Feraj.

Mehmeti: Shovinizmi maqedonas rrezik për Ballkanin

Nga ana e tij, publicisti shqiptaro-maqedonas, Kim Mehmeti, foli për “një fytyrë të pagrimuar të Europës në Ballkan”. Sipas tij në rajon gjithçka vjen në mënyrë të vonuar si pasojë e tendencës së popujve të vegjël që kanë dashur të bëjnë gjëra të mëdha brenda shumë pak kohe.

“Maqedonia është pasqyra më e mirëfilltë e Ballkanit, një rajon ku përplasen të gjitha udhëkryeqet, konfliktet dhe vuajtjet e kësaj pjese të Europës. Mëkatet janë të vështira të zgjidhen sepse historia është mëkatare ndaj të gjithë kombeve, por radikalizimi maqedonas është një problem për të gjithë. Në vitet 1980-90 nuk e kishim këtë problem, ndërsa sot përballemi përdite me një shovinizëm dhe racizëm maqedonas ndaj shqiptarëve”, theksoi Mehmeti.

Lidhur me hartat Mehmeti shtoi se: “Nuk është se ndryshimi i kufijve duhet të jetë qëllim në vetvete, por të mos harrojmë që kjo nuk varet nga ne. Ne gjithmonë kemi marrë vesh të fundit ndryshimin e kufijve tanë. Gjithësesi, problem është se në Ballkan ka dy standarte shtetesh. Ke një Serbi, një Kroaci, Slloveni apo Shqipëri që janë shtete të mirëfillta. Kemi dhe dy shtete si Bosnja, Maqedonia dhe mbase edhe Kosova, që janë tërësisht jofunksionalë. Hapësirat për korrigjime janë lënë. Bosnja mund të jetë gjithçka, por jo shtet. Kjo duhet të marrë fund një herë e mirë. Ndryshimi i kufijve nuk duhet të jetë tabu”, shtoi Mehmeti.

Fackovski: Në Maqedoni duhet një sistem gjithëpërfshirës

Ish-kandidati për president në Maqedoni, Ljubomir Frockovski hoqi një paralele mes situatës politike në Tiranë dhe asaj në Shkup. Sipas tij ndarja e thellë politike po lë jashtë integrimit të dyja vendet. Për Maqedoninë ai hodhi idenë e një sistemi gjithëpërfshirës, ku në pushtet të marrin pjesë dy parti maqedonase dhe dy shqiptare. Për të, zgjedhja e një kryeministri shqiptar nuk do të përbënte asnjë dramë nëse do të përdorej rotacioni i posteve zyrtare.

“Ndarja e fuqishme partiake, që është e ngjashme edhe në Shqipëri, nuk i përputhet demokracisë dhe shtetit tonë. Nuk kemi dallime objektive ideologjike, jemi një shtet multikulturor. Do propozojmë që të bëjmë një qeveri sipas modelit zvicerian të një qeverisje të një koalicioni të gjërë, me dy parti maqedonase dhe dy shqiptare. Në Maqedoni opozita ka qenë në 20 vjet një humbës total, pavarësisht se kush ka qenë në opozitë. Ne na përshtatet një qeveri e një koalicioni të gjërë. Na përshtatet një sistem ku do të ketë qarkullim të funksioneve të shtetit. Shumë lehtë mund të jetë kryeministër edhe një shqiptar, nëse ndodh tani do të ishte shumë dramatike. Në një sistem tjetër nuk do të përbënte dramë”,  tha zoti Fackovski.

Ndërkohë, nga ana e tij, analisti shqiptar nga Maqedoni Kim Mehmeti, ritheksoi qendrimin e tij se Maqedonia ka bërë hapa pas dhe kjo e gjithë falë qendrimit të kryeministrit Gruevski, i cili sipas tij, vazhdon betejën e 2001-t kundër shqiptarëve, por tashmë me monumente.

Xhufi: Shqiptarëve po u soset durimi

Historian Pëllumb Xhufi, i ftuar në panelin e “Shqip”, vlerësoi se popullit shqiptar po i soset durimi me klasën politike, pavarësisht se është një popull që ka duruar mjaft.

Sipas zotit Xhufi, ka ardhur momenti që shqiptarët po e kuptojnë talljen e klasës politike në vend, e cila sipas tij ka shkuar deri në atë pikë sa të prekë edhe hartën e vendit, me arsyetimin se gjoja qenka kërkesë për integrimin europian. Edhe ligji për plehrat është në të njëjtën frymë papërgjegjshmëri të politikës, thotë zoti Xhufi, duke vijuar se i njëjti ligj u kundërshtua nga shqiptarët në vitin 2001. 

Top Channel