Tajlandë, vijon beteja me përmbytjet

30/10/2011 18:50

Një e treta e provincave të Tajlandës është mbuluar nga uji, pas musoneve që nisën në korrik, duke shkaktuar vdekjen e 381 personave ndërsa mbi 2 milionë të tjerë u prekën nga kriza.

Kryeministrja e Tajlandës shprehu optimizmin se qendra e Bangkokut  nuk do të përfshihet nga përmbytjet, pas masave të marra për mbrojtjen e tij.

Jing Lak Shinauatra u tha banorëve të kryeqytetit se vendi do të shërohet shpejt. Ajo erdhi në pushtet, në muajin qershor dhe kriza e krijuar po i rëndon gjithnjë e më shumë.

Zyrtarët tajlandezë u përpoqën për të mbrojtur qendrën tregtare të Bangkokut, pas përmbytjeve u në zonat veriore të qytetit, në fillim të këtij muaji.

Banorë të qytetit nisën shpërnguljen pasi autoritetet i paralajmeruan se lumi Cao Praja mund të dalë nga shtrati gjatë fundjavës, si pasojë e baticës dhe kjo situatë mund të zgjasë deri të hënën.

Kryeministrja tha se thaset me rërë do ta mbrojnë kryeqytetin.

Të premten, Banka e Tajlandës uli parashikimin e rritjes ekonomike për vitin aktual financiar nga 4.1 % në 2.6%. Bangkoku garanton thuajse 41 % të Produktit Kombëtar Bruto dhe analistët paralajmeruan se cdo dëm në kryeqytet do të dëmtojë rritjen ekonomike të Tajlandës.

Top Channel