SHBA, ngrica paralizon Nju Jorkun

30/10/2011 00:00

Nju Jorku është goditur në një prej stuhive më të këqija në dekada, ndërsa metereologët parashikojnë që kushtet e këqija atmosferike të vazhdojnë për shumë ditë.

Tre persona humbën jetën si pasojë e aksidenteve të shkaktuara nga ngrica, ndërsa 2,3 milion të tjerë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e një defekti teknik.

Guvernatorët kanë deklaruar gjendjen e emergjencës në shtetet e Nju Xhersit, Konektikatit, Masaçusetsit dhe në disa pjesë të Nju Jorkut. Trafiku ajror, hekurudhor dhe ai rrugor ka pësuar vonesa dhe probleme të shumta.

Dëbora ka arritur në disa vende deri në gjysmë metri. Rreth 60 milion amerikanë do të përjetojnë të ftohtin e pazakontë të tetorit, i cili ka gjetur të papërgatitur autoritetet, që presin kushte të ngjashme në muajt e dimrit.

Nju Jorku ka njohur dëborë përpara Hellouinit vetëm në tre raste që prej vitit të largët 1869, por asnjëherë nuk kishte kaluar kufiri i tre centimetrave, siç ka ndodhur ndërkohë.

Dëbora, 3 mln persona pa elektricitet

Stuhia e dëborës që ka përfshirë shtetet lindore të Shteteve të Bashkuara, përvec tre personave që kanë humbur jetën dhe vështirësive të ndryshme në qarkullim, ka lënë edhe mbi 3 milion persona pa energji elektrike.

Sipas agjencisë Associated Press, vetëm në Nju Jork, numri i personave të mbetur pa elektricitet është 200 mijë, 650 mijë në Masacusets, rreth 300 mijë në Nju Hempshajër dhe 200 mijë të tjerë në Main.
 

Top Channel