Izrael-Palestinë, shpresa për armëpushim

30/10/2011 10:10

Një marrëveshje armëpushimi mund të arrihet midis militantëve palestinezë dhe Izraelit, pas shpëthimit të beftë të dhunës ditën e shtunë, lajmëruan mediat ndërkombëtare.

Egjipti është duke u përpjekur të bëjë ndërmjetësin midis Tel Avivit dhe Hamasit, pasi një sulm ajror izraelit shkaktoi nëntë viktima. Sulmi u ndërmorr për t’u hakmarrë ndaj një rakete të lëshuar drejt qytetit hebre të Ashkelonit, ngjarje ku humbi jetën një civil.

Burime zyrtare lajmëruan se shkëmbimi i zjarrit vazhdon të jetë intensiv në zonat kufitare edhe në mëngjesin e së dielës. Shpërthimi i dhunës përbën ngjarjen më të rëndë, që prej shkëmbimit të një ushtari izraelit të mbajtur peng me një mijë të burgosur palestinezë.

Qëndrimi zyrtar i palestinezë është që dëshirojnë paqe, “përsa kohë Izraeli do të jetë i gatshëm të angazohet në bisedime”, por Tel Avivi pretendon se 38 raketa u lëshuan nga Hamasi, grupi ekstremist i lidhur me pushtetin.

Nga ana tjetër, izraelitët zyrtarisht shprehen se nuk kanë asnjë qëllim agresiv, por “do t’i përgjigjen me vendosmëri çdo sulmi”. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes konfirmoi gjithashtu sulmin ajror, por theksoi se viktimat ishin militantë dhe jo civilë.

Top Channel