Turqi, shpërthim në qendër të një qyteti

29/10/2011 17:00

Një shpërthim është regjistruar në një qytet në jug-lindje të Turqisë, ku si pasojë kanë mbetur të vrarë dy persona.

Sipas mediave ndërkombëtare, sulmi është shkaktuar nga një atentatore femër, që është hedhur në erë në qendër të qytetit të Bingolit.

Të paktën 10 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi, njoftojnë burime pranë Ministrisë turke të Brendshme.

Ende nuk dihet nëse mes dy viktimave është edhe atentatorja. Ministri i Brendshëm turk, Idris Naim Sahin ka deklaruar se shpërthimi ndodhi pranë zyrave të partisë në pushtet, AK.

Megjithatë, ministri Sahin ka nënvizuar se nuk beson që zyrat në fjalë të kenë qenë objektivi i shpërthimit. Për momentin asnjë grup ekstremist nuk ka marrë përsipër autorësinë e sulmit.

Turqia prej kohësh zhvillon një betejë me rebelët kurdë në jug-lindje të vendit, të cilët kërkojnë pavarësinë e zonës së banuar me shumicë kurde.

Luftimet kanë shkaktuar vdekjen e mijëra personave që prej vitit 1984, ndërkohë që këtë vit arritën kulmin me vrasjen e 26 ushtarëve turq më herët gjatë muajit.

Shpërthimi ndodhi në një moment kur qeveria turke po përpiqet të ndihmojë mijëra persona që kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti i fuqishëm që u regjistrua javën e kaluar në Van, që deri tani ka shkaktuar 570 viktima.

Top Channel