Gaza, vriten 5 militantë palestinezë

29/10/2011 17:30

Pesë militantë palestinezë janë vrarë nga një seri sulmesh ajrore izraelite në jug të Rripit të Gazës.

Aktet e dhunës janë më të rëndat që pas marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve më herët gjatë muajit.

Militantët janë vrarë në një zonë që përdorej për stërvitjen e kadetëve të Xhihadit Islamik në Rafah, në jug të Rripit të Gazës.

Forcat ajrore izraelite kanë konfirmuar autorësinë e sulmit, duke deklaruar se e ndërmorën pasi militantët po përgatiteshin të kryenin një sulm me raketa në Izrael.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “AFP” se avioni ka sulmuar edhe zona të tjera.

“Ushtria izraelite ka sulmuar tre baza terroriste në Rripin e Gazës, si dhe një fabrikë armësh në jug të territorit”, ka deklaruar zëdhënësi.

Një nga objektivat raportohet se i përkiste lëvizjes islamike të Hamas, tek e cila aderon në mënyrë indirekte edhe grupi militant Xhihadi Islamik.

Aktet e dhunës vijnë në më pak se dy javë nga lirimi i rreshterit izraelit Gilad Shalit në këmbim të lirimit të 500 të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Grupi militant që u godit nga sulmet e sotme ka bërë të ditur përmes një komunikate për shtyp se do të reagojë ndaj tij.

Top Channel