Ilir Yzeiri – Çdo ditë që kalon në vendin tim është thuajse pa asnjë ngjyrë.
Në qoftë se do t’i mbaheshim idesë së sociokomunikimit, sipas së cilës
jeta është shfaqje, teatër, dukje, do të na vinte në vështrim menjëherë
skena e këtij burlesku gjigant që shtillet në sytë tanë përmes imazhit
të televizionit.

Kështu, brenda një çasti ti mund të vështrosh se si Gadafi është gati duke u shqyer nga rebelët, të cilët, pasi e kanë nxjerrë prej një tubi shkarkimi poshtë një rruge, e shtyjnë për ta hipur në një kamionçinë. Ti e ke të pamundur të besosh, se kështu mbyllet historia e një njeriu të frikshëm, karagjoz e autokrat, diktator dhe kloun. Të duket se teatri i jetës është një lojë fëmijësh me gjeneralë e mbretër që zihen robër si në lojërat e fëmijëve në fëmijërinë e atyre që u lindën pas përfundimit të ndonjë lufte. Ende pa u shuar ky imazh, një tjetër të mbërthen vështrimin tërmeti në Turqi dhe një lajm që bën xhiron e botës; një foshnjë dyjavëshe shpëtohet e gjallë nga rrënojat pas dy ditësh. Ndërkaq, thuajse çdo ditë, si një ritual banal dhe si vazhdim i një komedie pa fillim e pa fund vijon të shfaqet në TV Kryeministri ynë, që herë del si agronom, herë si turist, e herë si kritik letrar. U shua jehona e përplasjes mes Topallit e Topit, por Kryetares së Kuvendit i rri gjithnjë ndezur flaka e entuziazmit revolucionar dhe në një imazh ajo shfaqet duke folur qartë, rrjedhshëm për një vend që është i rrethuar nga të gjitha anët nga vende në krizë, por ky vend ecën përpara, marshon dhe ndërkaq po atë darkë një nga të shumtët servilë pa ngjyrë, një njeri në formë sfere që nuk lëviz po shtyhet, po ha darkë në një restorant me ambasadorin Sekui dhe një drejtor italian. Ti lexon për këtë darkë dhe merr vesh se ambasadori Sekui dhe italiani janë mbledhur dhe dëgjojnë një sferë të zezë që ka pasion ende të ngrënët. I pangopur me të gjitha llojet e ushqimeve, i latërzyer me lyrën që u varet faqeve, ai u tregon e u mbush mendjen atyre se Topi nuk vlen, se Edi kërkon shumë pushtet, se Saliu dhe Jozefina janë më të mirët, se Luli ka shalë të gjata. Mua më vjen ndërmend se bash për këtë njeri-sferë para disa vjetësh Edi Rama erdhi si i marrosur nga Greqia, sepse u tremb se Këshilli i atëhershëm i RTSH-së po e hiqte nga drejtor. Dhe darka vazhdon. Pas këtij imazhi me të ngrënë, ku përzihen ambasadorë e drejtorë italianë, ti duhet të bëhesh gati se tani kushedi se çfarë konspiracioni do të fillojnë të besojnë ambasadorët e akredituar në vendin tim. Ata tani janë dendur mirë me ushqim dhe me folklor nga një njeri që rrotullohet në këtë vend si një sferë zifti, nga një zyrë në një tjetër. Mirëpo të gjithë ishin të bindur se imazhi i minierës së Bulqizës dhe i minatorit të vdekur do të harroheshin shpejt, ashtu siç nuk do të bënte asnjë lloj përshtypjeje imazhi tragjik i shkatërrimit të shtratit të lumit Erzen. Pas këtyre imazheve do të shfaqej si gjithmonë ai, Kryeministri i vendit tim. Tani imazhi i tij është bërë si ato ndërprerjet publicitare që përsëriten njëherë në pesë minuta. Nganjëherë më duket sikur ai është kurdisur diku dhe flet në vijimësi, pa pushim, pa ndalesë, pa tekst… flet e flet. Ndërsa përpiqem të heq sytë nga këto imazhe, një tjetër ndjesi më mbërthen. Dua të jem tunizian them me vete. Po pse? Tunizia bëri zgjedhjet e para demokratike pas rrëzimit të Ben Alisë. Zgjedhje model. Pjesëmarrje masive, votim i tunizianëve ngado, votuan edhe ata që jetojnë jashtë Tunizisë. Numërim korrekt. Asnjë parregullsi. Një gazetare franceze pyet me cinizëm një opozitar tunizian, duke i thënë se në Tunizi janë bërë zgjedhje edhe më parë dhe ato në fund kanë rezultuar të manipuluara. Opozitari i përgjigjet jo, këtë radhë, do të jenë të ndershme. Ku e mbështet këtë siguri i thotë gazetarja. Sepse nuk është më Ben Aliu. Dhe ashtu vërtet. Zgjedhje perfekte. Unë them me vete kam dëshirë të jem tunizian. Nuk dua të jem shqiptar përderisa kanë kaluar njëzet vjet dhe unë i përkas atij vendi dhe atij shteti që nuk bën zgjedhje të lira, që vjedh votat. Kujtohem se tunizianët e shporrën Ben Alinë, ne e kemi ende nëpër këmbë dhe madje në variantin më të shëmtuar e kemi si ndërprerje publicitare që na shfaqet një herë në pesë minuta. Mirëpo një tjetër imazh ka nisur të shfaqet. Pas pranverës arabe a mos po vjen dimri islamik, pyesin gazetarët perëndimorë të shqetësuar nga fitorja e partisë islamike në Tunizi. Të presim. Dhe në fund, për ta përmbyllur imazhin e vendit tim, kam edhe dy pamje. Një familje dhe fëmijë të ndryrë, për shkak të gjakmarrjes dhe një nëpunës i shtetit, një ish-shishas gjendet i vrarë dhe i djegur në autoveturën e tij. Asnjë variant i saktë për ngjarjen. Një e përditshme shkruante se i ndjeri po hetonte për pronat e gjykatësit të vrarë mizorisht në Vlorë, Skerdilajd Konomit. Unë them me vete që ndoshta nuk është e vërtetë. Mirëpo nuk di se çfarë të besoj tjetër. Për ta marrë më filozofi e me sportivitet më kujtohet darka e ambasadorit Sekui me njeriun sferë. A kanë folur ata edhe për vrasjet? Natyrisht jo, sepse kur vazhdon të kesh pasion të ngrënët dhe kur ndihesh vazhdimisht i uritur, megjithëse kanë kaluar njëzetë e ca vjet nga koha e urisë, nuk mund të përtypësh skena me vrasje apo me dinamit. Në këto darka të vijnë në vështrim skena me dritë, me doktorë e me Lulë, me Jozefinë e me arritje demokratike. Armiqtë janë diku tjetër… Si të mos mjaftonin të gjitha këto, më vijnë ndërmend imazhet e sarajeve të djegura të Gadafit, vilat luksoze të shkretuara. Mirëpo, ashtu siç ndodh në një studio grafike, edhe mua nisnin e më mbushen këto imazhe, pra vilat e Gadafit ristrukturohen në mendje e bëhen me tapete, me mobilie me dru lisi, me plazma të mëdha. Harroj se kam lexuar një të përditshme, ku thuhet se vilat qeveritare në Shqipëri janë mobiluar me një luks të paparë… Po ç’lidhje kanë këto vila ku pushon Kryeministri ynë me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë me ato të Gadafit, këtë përtoj ta hamendësoj. Përtoj, sepse më duhet të heq sytë nga një imazh tjetër. Një vajzë 27-vjeçare është hedhur nga kati i shtatë i një pallati në rrugën “Don Bosko”. Në atë çast Kryeministri i vendit tim po u thotë disa të huajve se po të kishit qenë në gjumë në këta njëzet vjet dhe po ta kishit njohur më parë Shqipërinë, ju tani nuk do t’u besonit syve. Dal përjashta dhe ngado më rrethon një paqe e dëlirë. Kaloj pusetën që nxjerr ujët të zi që nga dita që Luli u bë kryetar bashkie dhe humbas në një nga rrugët mediokre të Tiranës…

Gazeta “Shqip”

Top Channel