Udhëheqësit europiane, pjesëmarrës në samitin e jashtëzakonshëm në Bruksel, ranë dakord për të forcuar likuiditetin e bankave më të dobëta me 100 miliardë euro.
Kjo është e para ndër tre marrëveshjet që duhet të arrihen. Dy të tjera ajo e zgjerimit të Fondit të Shpëtimit dhe falja e pjesshme e borxheve për Greqinë, pritet të gjejnë zgjidhje nga EuroGrupi.
Pas largimit të dhjetë prej udhëheqësve, vendet e të cilëve nuk janë pjesë e Eurozones, 17 liderët e saj po përgatiten për një natë të gjatë debatesh e negociatash, për të gjetur mekanizmin financiar, i cili do të qetësojë frikën e tregjeve.
E pranishme në takim do të jetë edhe shefja e Fondit Monetar Ndërkombetar, Kristin Lagard dhe kreu në ikje i Bankës Qëndrore Europiane, Zhan Klod Trishe.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, vendi i të cilit mban presidencën e radhës tha se bisedimet kanë forcuar më shumë cështjen për bashkimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian.
Kryeministri britanik, David Kameron tha se takimi i udhëheqësve europiane ka shënuar progres në zgjidhjen e krizës së borxhit të Eurozonës, por i bëri thirrje atyre të ruajnë energjinë.
“Kemi shënuar progres. Është në interest të Britanisë të ristrukturojmë dhe të zgjidhim krizën. Kemi shënuar progres në rikapitalizimin e bankave, për këtë u ra dakord. Do të përparojë, kur pjesët e tjera të paketës të ecin përpara dhe progresi i mëtejshëm për të duhet të ndodhë sot”, tha Kryeminsitri britanik, David Kameron.
Udhëheqësit e Eurozonës kanë vendosur 26 tetorin, si afatin për të arritur një marrëveshje, e cila do t’i bëjë ballë krizës së borxhit të Greqisë dhe do të mbrojë Euron.
Top Channel