Spitalet siriane, qendra torturash

25/10/2011 08:25

Pacientët në spitalet siriane të drejtuara nga qeveria po torturohen me qëllim shtypjen e qëndrimit të tyre anti-regjim. Kështu thuhet në një raport të Amnesty International.

Dokumenti me 39 faqe përmban deklarata të pacientëve në të paktën katër spitale shtetërore, që janë bërë subjekt i torturave dhe keqtrajtimeve të tjera, përfshirë ato mjekësore.

Shumë civilë të plagosur në protestat popullore e shohin më të arsyeshme të mos shkojnë në spital, thotë raporti.

Autoritetet siriane kanë mohuar pretendimet se kanë keqtrajtuar kundërshtarët e qeverisë.

Protestat anti-qeveritare, që filluan në muajin mars, kanë vazhduar pavarësisht tentativave të presidentit Bashar al Assad për t’i shtypur ato.

OKB thotë se mbi 3 mijë persona kanë mbetur të vrarë në shtatë muaj demonstrata, për të cilat Siria ka fajësuar “grupet terroriste” dhe “bandat kriminale”.

Gazetarët e mediave ndërkombëtare në këtë vend përballen me kufizime të rrepta dhe e kanë të vështirë të verifikojnë lajmet.

Aktivistja e Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Cilina Nasser ka deklaruar se autoritetet siriane u kanë dhënë forcave të armatosura të drejtën për të qeverisur spitalet.

“Në shumë raste stafi i spitaleve duket se ka marrë pjesë në tortura dhe keqtrajtime shëndetësore ndaj shumë njerëzve për të cilët duhet të kujdeset”, ka deklaruar Nasser.

Për shkak të dhunës së ushtruar ndaj popullsisë, Damasku zyrtar ka marrë shumë paralajmërime nga faktori ndërkombëtar.

Në këto paralajmërime janë përfshirë edhe Rusia e Kina, që të dyja në fillim të muajit bllokuan miratimin e një rezolute kundër saj në OKB. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA