Kina kritikon SHBA-në për ndotjen e karbonit

25/10/2011 15:30

Kina nuk do të lejojë që dioksidi i karbonit që emeton industria e saj të arrijë të njëjtin nivel si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi Ministri i Mjedisit ditën e martë.

Xie Zhenhua, gjatë një deklarate për shtyp, theksoi se “nëse Kina do të arrijë të njëjtin nivel ndotje që shkakton industria amerikane, atëherë kjo do të ishte një katastrofë për të gjithë globin”.

Një studim i publikuar gjatë javës së shkuar vlerësonte se emetimi i karbonit për person në Kinë do të arrijë të njëjtin nivel si në SHBA në vitin 2017, nëse ekonomia do të vazhdojë të rritet me të njëjtin ritëm.

”Prej kohësh, mjedisi është vendosur në një përparësi për Pekinin zyrtar, i cili po shpenzon miliarda dollarë për të përmirësuar ambientin, por shpenzimet do të shtohen edhe më shumë, ndërsa ligje të tjera që do të mbrojnë ambientin do të miratohen së shpejti. Kina është e vendosur të investojë për një industri me sa më pak nivele karboni dhe për shtimin e sa më shumë ambienteve të gjelbërta. Ka ardhur koha që edhe vendet të tjera të tregohen më të ndërgjegjshme për ambientin”, shtoi Xie.

Për momentin, Kina emeton në atmosferë 6,8 ton dioksid karboni për person në vit, ndërsa SHBA 16,9 tonë, edhe pse ka studime që flasin se shifra e pranuar zyrtare është shumë më e vogël. Megjithatë, ndotja kineze është trifishuar vetëm gjatë dekadës së fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA