Video/ Përfshihen nga zjarri dy varka në Venecia, pëson djegie pronari Qeveria italiane rrezikon të bjerë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi reformat ekonomike, ka paralajmëruar një nga aleatët kyc të kryeministrit Silvio Berlusconi.
Lideri i partisë Lega Nord, Umberto Bossi deklaroi se qeveria është në rrezik dhe se vendi ndodhet në “kohë të rrezikshme”.
Partia e tij, një aleat i rëndësishëm në koalicionin qeveritar, ka refuzuar propozimet për rritjen e moshës së pensionit në 67 vjec.
Partnerët evropianë të kryeministrit Berlusconi kanë kërkuar prej tij veprime konkrete brenda së enjtes në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria e tregjeve.
Në një samit të mbajtur gjatë fundjavës, zoti Berlusconi u ironizua publikisht nga presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.
Ata thanë se është jetike që borxhi publik i Italisë të reduktohet në një kuotë të besueshme në vitet e ardhshme.
Italia, vendi me ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës, duhet të kthejë rreth 600 miliardë euro në obligacione në tre vitet e ardhshme për të rifinancuar borxhin e rritur.
Rritja e moshës së pensioneve është një nga reformat kyce ekonomike të kërkuara nga partnerët në Bashkimin Evropian në këmbim të mbështetjes për obligacionet.
Por zoti Bossi e ka hedhur poshtë idenë e shumëpërfolur për një qeveri teknike, të përbërë nga ekspertë për të cuar përpara reformat.
“Qeveria është në rrezik. Situata është shumë e vështirë dhe shumë e rrezikshme. Jemi në një moment dramatik”, ka deklaruar Bossi për gazetarët.
Top Channel