Pa drejtësinë demokracia nuk sjell liri

24/10/2011 00:00

Andrea Stefani – Debati i sotëm politik mbi nevojën e korrigjimit apo jo të amendimeve të
Kushtetutës të kryera në prill të vitit 2008, tregon sesi e kuptojnë
palët raportin që ekziston mes lirisë dhe demokracisë.

Përfshi edhe ndërkombëtarët. Sot opozita po shprehet dakord të ndryshojë Kushtetutën, në mënyrë që t’i hapet rrugë heqjes së imuniteteve dhe reformës zgjedhore, por ndërkaq, duket se sugjeron që ky ndryshim duhet të jetë pjesë e një pakete që do të synojë edhe ndreqjen e gabimit të bërë në prill të 2008-s. Gjë që nuk po përkrahet shumë nga ndërkombëtarët, por që po kundërshtohet prerë nga Kryeministri Berisha. Dhe duket se ndërsa opozita priret ta riparojë demokracinë defektoze edhe me anë të fuqizimit të drejtësisë, pozita kërkon ta neglizhojë fare problemin e drejtësisë, duke u fokusuar vetëm te “demokracia”.

* * *

Në Shqipëri demokracia është keqkuptuar që në fillim edhe si liri. Besohet se mjafton të kesh zgjedhje dhe ke edhe liri. Gjë që nuk është fare e vërtetë. Edhe nën diktaturën komuniste bëheshin zgjedhje e megjithatë nuk kishte fare liri. Madje as demokraci. Që të ketë liri duhet jo vetëm që demokracia të zhvillojë zgjedhje, por ato duhet të jenë të lira e të ndershme. Ndryshe zgjedhjet deformohen në një mekanizëm pervers të grabitjes së vullnetit të sovranit nga pushtete të korruptuara dhe autokratike. Por që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme kërkohet që të ekzistojë, të paktën, një sistem i pavarur i drejtësisë, i gjykatave të të gjitha niveleve, madje edhe i prokurorisë. Ç’mund të ndodhë në mungesë të gjykatave të pavarura? Gjendet shumë lehtë. Mjafton të kujtoni atë që ndodhi pak muaj më parë, më 8 maj. Një pushtet i korruptuar dhe autokratik do të përdorë gjykata të korruptuara për t’ia grabitur ditën për diell fitoren kundërshtarit opozitar dhe për t’u përjetësuar vetë në pushtet. Dhe do ta bëjë këtë duke e maskuar vjedhjen me vendime gjyqësore, me procedura të ligjshme, me “drejtësi”. Mungesa e drejtësisë së pavarur i jep mundësi një pushteti të grabisë apo të mbajë “me ligj” atë që në çdo rrethanë tjetër do ta arrinte a mbante vetëm me dhunë të armatosur. Mungesa e drejtësisë bëhet kështu një lavatriçe e dhunës së pisët politike, e maskimit të autokratizmit me demokraci. Dhe nuk e kanë kuptuar vetëm ata që nuk duan ta kuptojnë, se pa korrigjuar amendimet e Kushtetutës, pa i hequr mundësinë Berishës të kapë Këshillin e Lartë të Drejtësisë me anë të një Presidenti kukull që ai mund ta zgjedhë vitin që vjen, pa i hequr edhe mundësinë që të emërojë një kryeprokuror po kukull në vend të Ina Ramës po vitin që vjen, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur.

* * *

Po provohet edhe një herë në rastin shqiptar se nuk është demokracia që prodhon drejtësi, por është drejtësia që mund të prodhojë demokraci. Që në nisje të tranzicionit në Shqipëri është vënë theksi vetëm te demokracia, pluralizmi politik, te zgjedhjet, ndërkohë që janë neglizhuar institucionet që themelojnë, mbrojnë dhe jetëgjatësojnë lirinë. Një nga këto është edhe drejtësia. Por pa drejtësinë, demokracia ka prirjen të shndërrohet në demokraturë. Prandaj edhe këmbëngulja e opozitës që bashkë me reformën zgjedhore apo atë të imuniteteve, të bëhen në Kushtetutë edhe ato korrigjime që çojnë në fuqizimin e drejtësisë së pavarur, janë plotësisht të përligjura. E papërligjur, naive apo e verbër është çdo orvatje që daljen nga zinxhiri i krizave dhe dështimeve zgjedhore e kërkon vetëm te defektet e Kodit Zgjedhor dhe aspak të kapja nga pushteti politik i sistemit të drejtësisë. Korrigjojmë Kodin dhe e zgjidhim problemin? Po sa herë e kemi bërë një gjë të tillë në këto 20 vjet, duke mbetur përsëri në krizë? Thuajse aq herë sa kemi bërë zgjedhje. Dhe përse nuk na ka ndihmuar aspak rregullimi i Kodit? Pikërisht sepse nuk kemi pasur asnjëherë drejtësi. Sado i përsosur të jetë një Kod Zgjedhor nëse zhvillon zgjedhje në mungesë të institucioneve të pavarura të drejtësisë (qofshin këto edhe ato të administrimit zgjedhor si KQZ-ja apo Kolegji) do të thotë si të zhvillosh një ndeshje sportive ku arbitri është i blerë nga njëra palë. Prandaj dhe rezultati s’ka si të jetë i drejtë. Nëse duam vërtet ta nxjerrim Shqipërinë nga zinxhiri i krizave postzgjedhore, kërkohet që fuqizimi i drejtësisë së pavarur të jetë pjesë integrale e reformës zgjedhore. Fakti që Berisha refuzon ta bëjë një gjë të tillë nuk përbën argument. Sepse nuk mund të merren për argument kushtet që një autokrat kërkon të imponojë për të fuqizuar pikërisht autokratizmin e tij. Mungesa e drejtësisë ka bërë që, deri më sot, shqiptarët të humbasin disa nga të drejtat më thelbësore mbi të cilat themelohet liria dhe integriteti i njeriut. Për shembull, atë të pronës apo të punës. Vazhdimi në këtë shteg do të thotë që ata të humbasin përfundimisht dhe shumë shpejt edhe të drejtën e votës dhe bashkë me të, edhe demokracinë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel