BBC: Kryhet autopsia mbi Gaddafi-n

22/10/2011 22:00

Një ekzaminim pas vdekjes mbi trupin e ish-liderit libian Muammar Gaddafi është kryer në qytetin Misrata.

Lajmin e bën të ditur BBC, që citon një zyrtar libian, sipas të cilit trupi i kolonelit do t’u dorëzohet të afërmve të tij.

Varrimi i tij është shtyrë, me autoritetet të ndara mbi një vendim se cfarë do të bëhet me trupin.


OKB ka bërë thirrje për një hetim
mbi vrasjen e kolonelit Gaddafi ditën e enjte, në fund të ofensivës së rebelëve në Sirte.

Ndërkohë, komandanti i trupave që e kapën atë dha disa detaje mbi evenimentet që cuan në vdekjen e diktatorit që qeverisi Libinë për më shumë se 4 dekada.

Në një intervistë ekskluzive për BBC, Omran el Oweib deklaroi se koloneli i plagosur u tërhoq me forcë nga kanali i ujërave të zeza ku ishte fshehur dhe pas 10 hapash pësoi një kolaps.

Oweib tha se një shkëmbim i ashpër zjarri u regjistrua mes mbështetësve të Gaddafi-t dhe luftëtarëve të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit.

“Ishte e pamundur të caktoje se kush e qëlloi plumbin fatal. Unë e cova ish-liderin në një tendë spitalore, ku ai u shpall i vdekur”, deklaroi komandanti.

“Unë u përpoqa t’i shpëtoja jetën, por nuk munda”, shtoi ai. Pyetje të shumta kanë lindur mbi atë që ndodhi në momentet e fundit të jetës së kolonelit Muammar Gaddafi.

Kryeministri në detyrë, Mahmoud Jibril deklaroi se ai u qëllua gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkohë që video të regjistruara tregojnë se ai u tërhoq zvarrë në rrugë.

Se cila do të jetë e ardhmja e Libisë pas vdekjes së Gaddafi-t ende nuk dihet. KKT deklaroi se zgjedhjet do të mbahen pas 8 muajsh, ndërkohë që tribuja e kolonelit propozoi të birin e tij Saif al Islam si pasuesin e të atit, “për të luftuar ata që bënë revolucionin me NATO-n”. 

Top Channel