Kush ishte Muammar Gaddafi?

20/10/2011 00:00

Njeriu që drejtoi Libinë për 42 vjet, ndërroi jetë ditën e enjte, i
vrarë në betejë për mbrojtjen e qytetit të tij të lindjes, Sirtes.

69-vjeçar, Gaddafi nuk e gradoi veten kurrë në gjeneral, duke pretenduar
se gradat nuk ishin ato për të cilat kishte luftuar për t’u ngjitur në
krye të shtetit. Ai morri në dorë drejtimin e Libisë në vitin 1969, pas
një grushti ushtarak të suksesshëm, i cili rrëzoi Mbretin Idris, i
konsideruar gjerësisht si një kukull në duart e britanikëve.

Origjina
Kolonel Gaddafi u lind në një familje beduinësh në Sirte, në vitin 1942.
Gjatë të gjithës jetës së tij të mëvonshme, ai u identifikua me fiset
tribale, veshjet e të cilëve preferonte të mbante vazhdimisht edhe në
takimet me udhëheqësit e huaj.

Filozofia e tij, e publikuar në “Librin Jeshil”, prej të cilit morri
ngjyrën edhe flamuri  vetëm jeshil i Libisë, bazohej në një udhëheqje të
masave. Teoria fliste se Libia është shndërruar në një demokraci prej
njerëzve, të cilët janë ata që udhëheqin Këshillat Revolucionarë.

I shkolluar në akademi ushtarake në Libi, Greqi dhe Mbretërinë e
Bashkuar, diktatori konsiderohej gjërësisht si një manipulues shumë i
aftë, i cili arriti të devijonte disa tentativa për ta rrëzuar nga
pushteti, duke ndërsyes fiset e fuqishme tribale midis tyre.

Terrorizmi dhe izolimi
Gjatë katër dekadave në pushtet, koloneli shpiku një sistem të ri të
drejtimit të shtetit, mbështeti grupimet radikale të armatosura, si IRA
në Irlandën e Veriut dhe vendosi vendin e tij në listën e shteteve që
sponsorizonin terrorizmin.

Përgjegjës për shpërthimin e një avioni civil në ajër, që shkaktoi
vdekjen e pothuajse 300 personave mbi Skoci  në vitin 1988, Gaddafi u
përball me bllokada të fuqishme ndërkombëtare dhe disa tentativa të
pasuksesshme të shërbimeve sekrete për ta vrarë.

Regjimi represiv
Regjimi i tij u karakterizuar nga një kontroll i rreptë policore dhe nga
terrori i shërbimeve sekrete, të cilat praktikisht ishin gjerëisht të
përhapura dhe kontrollonin edhe gjërat më të vogla në jetën e përditshme
të libianëve.

Periudha më e keqe për popullin prej më shumë se gjashtë milion
banorësh, i shtetit të madh sa Franca, Gjermania dhe Britania marrë së
bashku, konsiderohet ajo e viteve 1980.

”Revolucioni kulturor”
I ashtuquajturi “revolucioni kulturor” ndaloi të gjithë aktivitetin
privat dhe librat u ndanë në kategori, me ata që u përfshinë në
kategorinë e padëshiruar, që u dogjën në mënyrë demonstrative në rrugët e
vendit.

Regresi ekonomik
Disidentë të shumtë u vranë, ndërsa koloneli eksperimentoi disa modele
të ndryshme ekonomike, në thelb unike, të cilat vetëm sa sollën regres
dhe varfërimin e libianëve, tashmë të rënduar edhe nga bllokada
ndërkombëtare.

Me vetëm gjashtë milion banorë, territor të pafundëm dhe rezerva nafte
që sjellin në arkat e shtetit mbi 30 miliardë dollarë në vit (në 2010-n,
më parë edhe më shumë), Libia duhet të ishte një prej shteteve më të
pasur në botë, por pasuria nuk është ndarë kurrë në një mënyrë të
barabartë.

Me një papunësi prej 30%, revoltat që eventualisht sollën fundin e
regjimit ishin të paevitueshme, pavarësisht subvencioneve të mëdha
shtetërore gjatë të katër dekadave, midis të cilave arsimimi, kurimi dhe
transporti falas.

Vitet e hapjes
Në vitin 1999, lideri libian bëri një rikthim nga izolimi total i
vendit, duke pranuar publikisht përgjegjësinë për vendosjen e bombës në
avionin që shpërtheu mbi fshatin skocez të Lokerbisë, nga ku ka marrë
edhe emrin ngjarja.

Pas 11 shtatorit 2001, ai nënshkroi një marrëveshje me Shtetet e
Bashkuara, duke u bërë aleat i të ashtuquajturës “lufta mbi terrorin”.
Pas pushtimit të Irakut në vitin 2003, Gaddafi përforcoi edhe më shumë
pozitat në sytë e opinionit ndërkombëtar, duke shpallur ndërprerjen e të
gjithë programeve libiane të armëve bërthamore dhe atyre biologjike.

Fundi i një diktatori
Megjithatë, gjatë vitete të fundit të jetës dhe drejtimit të kolonelit,
tensionet u rritën në mënyrë graduale, duke shpërthyer në një revoltë të
armatosur, pas frymës së re që solli lëvizja e “Pranverës Arabe”.

Popullit libian, iu desh një luftë disa-mujore, për të sjellë
eventualisht fundin e regjimit 42-vjeçar. Falë ndërhyrjes së NATO-s,
këmbimi i pushtetit më në fund u bë i mundur, me koston e shkatërrimeve
masive në të gjithë vendin dhe të më shumë se 30 mijë viktimave, njëri
prej të cilëve, ishte edhe vetë diktatori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA