Tymoshenko, apeli të premten ose të hënën

19/10/2011 17:35

Avokatët e ish-kryeministres ukrainase Yulia Tymoshenko do ta paraqesin të premten ose të hënën e ardhshme apelin ndaj vendimit për burgosjen e klientes së tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur Yuri Sukhov, një nga avokatët e protagonistes së Revolucionit Portokalli, për agjencinë e lajmeve “Ansa”.

Tymoshenko u dënua në gjykatën e shkallës së parë me shtatë vjet burg për abuzim me anë të detyrës, me firmosjen e disa marrëveshjeve për naftën me Moskën.

Trupi gjykues u shpreh se Tymoshenko kishte kaluar kompetencat me nënshkrimin e marrëveshjes, ndërkohë që vetë ajo pretendon se është viktimë e një komploti politik të presidentit Viktor Yanukovich.

Vendimi në fjalë u kritikua ashpër nga Bashkimi Evropian, që e cilësoi atë si “shumë të dëmshëm” dhe bëri që të shtyhet vizita e presidentit Yanukovich në Bruksel.

Por pavarësisht presioneve perëndimore, prokurorët në Kiev hapën disa ditë më parë një hetim të ri ndaj Tymoshenko, për një mashtrim të mundshëm financiar ndaj shtetit kur ajo drejtonte qeverinë.

Top Channel