Ndihma për pacientët e pashërueshëm

19/10/2011 22:00

Vjollca Gremi vuan nga një sëmundje e rëndë onkologjike në tëmth dhe prej dy muajsh qëndron e shtrirë në shtëpi, pasi tashmë as medikamentet nuk japin më efekt.

Ajo arrin të komunikojë me njerëzit, ndonëse shpesh e kapin krizat e dhimbjes.

“Në 2009-ën u shtrova në spital që bëra operacionin në tëmth. Pas pak ditësh bëra operacionin e dytë dhe erdhën të tjerat na mbrapa. S’jam mirë. Nuk e di se c’do të bëj”, rrëfen 50-vjecarja.

Tashmë familjarët e saj e kanë mësuar nga mjekët se për këtë sëmundje nuk ka zgjidhje, por ata kërkojnë që të paktën shteti të kujdeset më shumë për pacientët e kësaj kategorie, për t’u lehtësuar dhimbjet për aq kohë sa sëmundja t’u lejojë të jetojnë.

Të vetmin kujdes ata e marrin nga një qendër jopublike, e cila vullnetarisht ndihmon të sëmurët rëndë.

“Këto ilace nuk japin më efekte. Aktualisht për të kujdeset një qendër bamirësie. Nëse ka nevojë ne i telefonojmë. Kërkojmë nga shteti të na ndihmojë më shumë”, shprehet Skënder Gremi, i biri i Vjollcës.

Kujdesi për këta pacienetë që heqin dorë nga kurat e mjekëve quhet kujdes paliativ dhe në vendin tonë është një problem i madh, pasi numërohen rreth 3500 pacientë që kanë nevojë për të, por vetëm 700 arrijnë të mbulohen.

Ky kujdes ofrohet nga sektori jofitimprures në 6 qytete të vendit dhe një pjesë e vogël nga Enti shtetëror i Shërbimit Onkologjik në banesa.

Për këtë nevojitet një staf i gjerë mjekësh, infermierësh, psikologësh, si dhe punonjës socialë për të përmirësuar sadopak cilësinë e jetës së këtyre pacientëve.

Top Channel