Kryegjenerali pakistanez sulmon SHBA-në

19/10/2011 16:10

Shefi i ushtrisë pakistaneze, Ashfaq Kayani, paralajmëroi SHBA se duhet të “mendohet 10 herë” përpara se të marrë ndonjë veprim të njeanshëm në krahinën e Vaziristanit verior.

Ai shtoi se Uashingtoni duhet të mendojë për strategji që do të çonin në stabilizimin e Afganistanit dhe jo në plane që do të ndërsenin Pakistanin që të sulmonte militantët që fshihen në këto zone.

SHBA i ka kërkuar vazhdimisht palës pakistaneze që të luftojë organizatat terroriste në vend, në veçanti grupin “Haqqani”, i cili është bërë përgjegjës për disa sulme së fundmi në Afganistan.

”Nëse dikush do të më thonte se të gjitha problemet tona do të zgjidhen duke sulmuar Vaziristanin, do ta bëjë diçka të tillë që nesër. Nëse do të na duhet të ndërhyjmë, këtë do ta bëjmë sipas planeve tona dhe duke përdorur kapacitetet që kemi mundësi”, theksoi Kayani.

Përballë kërcënimeve amerikane për tërheqjes të ndihmës ushtarake që i jep Islamabadit zyrtar, kryegjenerali u shpreh se nëse diçka e tillë ndodh, ushtria nuk do të pësonte asnjë impakt në kapacitetet e saj mbrojtëse.

Haqqani është një prej organizatave terroriste më problematike për stabilitetin e Afganistanit, shtet që ka akuzuar disa herë fqinjët pakistanezë për orkestrimin e një loje të dyfishtë ndaj militantëve.

Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet e të cilëve me Pakistanit në muajt e fundit kanë qenë të ndërlikuara, gjithashtu kërkojnë një qëndrim më të qartë prej Islamabadit.

Top Channel