Clinton, vizitë surprizë në Libi

18/10/2011 00:00

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton po zhvillon një vizitë
surprizë në Libi, për të shprehur mbështetjen ndaj popullit libian dhe
për të vendosur lidhje me vendin.

Zonja Clinton pritet të jetë në kryeqytetin Tripoli vetëm brenda pak orësh. Ajo është zyrtarja e parë e rangut të lartë nga SHBA që viziton vendin.

Vizita u mbajt sekret për motive sigurie dhe masa të rrepta ishin marrë përpara mbërritjes së saj.

Vizita e zonjës Clinton vjen pas asaj të presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit britanik David Cameron.

Sekretarja e Shtetit do të zhvillojë bisedime me me krerët e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, konkretisht me kryetarin Mustafa Abdul Jalile, kryeministrin Mahmoud Jibril dhe ministrin e Financave, Ali Tarhouni.

Gjithashtu, ajo do të takohet në qendër të qytetit me gratë, të rinjtë dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile.

Autoritetet amerikane deklarojnë se vizita synon të shprehë mbështetjen për KKT-në dhe popullin libian, por edhe për vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe me Libinë.

Më herët gjatë ditës, raportohej për luftime të ashpra rreth qytetit të Sirtes, ku besnikët e kolonelit Muammar Gaddafi vazhdojnë t’u rezistojnë trupave të Këshillit.

Rreth 1 mijë luftëtarë libianë nisën një sulm madhor nga lindja e qytetit, bën të ditur agjencia e lajmeve “Associated Press”. Ndërkohë që në Bani Ualid është vendosur tashmë flamuri i fitores.

Top Channel