Protesta të dhunshme në Romë

15/10/2011 21:00

Manifestimi i Romës pati filluar në mënyrë paqësore, me tinguj e ngjyra për të protestuar kundër privilegjeve të qeveritarëve, korporatave të bankave e shoqërive shumëkombëshe financiare.

Në korteun që mblodhi në kryeqytetin italian rreth 100 mijë persona ishte futur edhe një grup huliganësh të cilet i vunë zjarrin dy kateve të Ministrisë së Brendshme, dogjën makina, thyen vitrina bankash e supermarketesh, duke e kthyer qendrën e Romës në një fushë beteje.

Ata goditën me shishe molotov mjetet e policisë duke shkaktuar plagosjen rëndë të një polici. Për herë të parë policia përdori pompat e ujit për të shpërndarë turmën, duke shkaktuar panik.

Por nga radhët e vetë manifestuesve pati reagime të forta kundër këtyre elementeve që dëmtuan protestën duke përdorur pa arsye dhunën e duke mbjellë shkatërrim.

Madje, disa prej tyre u ndaluan nga vetë manifestuesit të cilët pritën me duatrokitje ndërhyrjen e policisë.

Edhe autoritetet natyrisht dënuan rëndë këto episode dhune, të cilat në një farë mënyre parashikoheshin. Prandaj sot Roma ishte e blinduar.

Ndërsa governatori i Bankës së Italisë, Mario Draghi deklaroi papritur përpara protestave se, “i jep të drejtë të rinjve, me shpresën që manifestimi të mos degjenerojë”.

Pas episodeve të dhunshme kryebashkiaku i Romës, Gianni Alemanno tha se, “tani të revoltuarit janë qytetarët.

70 të plagosur

Gjatë përleshjeve të ditës së shtunë në Romë, 70 persona janë plagosur dhe 12 të tjerë janë arrestuar.

25 të rinj janë mjekuar në spitalet e vendosura në sheshin San Giovanni, ndërkohë që 45 të tjerët janë transportuar në spitale me ambulanca.

Mes të plagosurve tre persona kanë marrë plagë të rënda.

Policia ka sekuestruar shkopinj dhe bomba Molotov.

Top Channel