Khodorkovsky, llogari sekrete në Gjermani?

15/10/2011 19:00

Mikhail Khodorkovsky ka një llogari sekrete prej 15 milionë eurosh në një bankë zvicerane në Gjermani?

Për momentin ka vetëm një “no comment” nga ana e avokatëve të tij ndaj lajmit, të publikuar nga e përditshmja gjermane “Sueddeutsche Zeitung”.

“Është një informacion i pakonfirmuar, nuk mund të ketë komente, nuk do të bëjmë”, ka deklaruar avokati Vadim Klyuvgant për agjencinë “Interfax”.

E përditshmja gjermane shkruan se, dokumente të lidhura me ish-pronarin e kolosit të naftës “Yukos” janë gjetur në filialin gjerman të bankës zvicerane “Julius Baer”.

Muajin e kaluar Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg dënoi qeverinë ruse për cështjen e shpërbërjes së “Yukos”.

Gjykata shpalli fajtore Moskën për keqmenaxhim të falimentimit të kompanisë në vitin 2006 dhe për burgosjen e drejtuesit të grupit.

Gjykata vendosi se Rusia kishte shkelur të drejtat e manjatit rus, i njohur si kritik ndaj Kremlinit.

Në vendimin e tyre gjyqtarët e Strazburgut urdhëruan qeverinë ruse që t’i paguante të burgosurit 24.500 euro dëmshpërblim.

Vendimi vlerësonte se ka pasur shkelje në kushtet e burgimit të Khodorkovsky-t që prej arrestimit të tij në tetor të vitit 2003.

Top Channel