Vret babanë nga pakujdesia, gjykata: Detyrim paraqitjeje

13/10/2011 00:00

Zbardhet vendimi për 16-vjecarin që vrau të atin pak ditë më parë në fshatin Shëngjergj të Tiranës.

Gjykata vendosi masën detyrim paraqitje për të miturin L.Muca, i cili akuzohet se e kreu krimin nga pakujdesia.

Ngjarja

Gjithçka ka ndodhur kur Kujtim Muça, 43 vjeç, ishte kthyer në shtëpi në gjendje të dehur dhe ka filluar të debatojë ashpër me familjen e tij. Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, ai kishte hyrë brenda dhe ka nisur t’u bërtasë anëtarëve të familjes. Në atë kohë, gruaja e tij dhe djali adoleshent janë munduar të qetësojnë 43-vjeçarin, por ai ka vazhduar të grindet me ta. Grindja ka vazhduar për rreth gjysmë ore, ndërkohë që rreth orës 19:30, Kujtimi ka marrë armën e gjahut, të cilën e mbante me leje dhe e ka mbushur. Në këto kushte, duke qenë i dehur, fëmija i madh, Lorenci 16-vjeçar, ka tentuar ta qetësojë dhe t’i marrë armën e gjahut.

43-vjeçari nuk ka pranuar, kështu që Lorenci ka tentuar t’ia heqë nga dora, por kjo ka sjellë një shkrepje të pavullnetshme, duke plagosur rëndë 43-vjeçarin. Familjarët janë tmerruar nga kjo skenë dhe kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë të plagosurit, por ka qenë shumë vonë.

Kujtim Muça ka ndërruar jetë, ndërkohë që krisma ka shqetësuar edhe banorët e tjerë të fshatit, të cilët janë mbledhur rreth shtëpisë dhe kanë njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e Komisariatit nr. 1, që bënë të mundur shoqërimin e adoleshentit dhe sekuestrimin e armës së krimit, ndërkohë që më pas u dërguan edhe specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit.

Oficerët kanë marrë në pyetje të gjithë familjen si dhe 16-vjeçarin Lorenc Muça, të cilët kanë treguar se ngjarja ishte aksidentale.

Familja i ka dhënë lamtumirën e fundit të ndjerit, ndersa djali duhet te perballet me drejtesine per aktin e kryer.

Top Channel