SHBA, demokratët mbështesin protestat

11/10/2011 00:00

Grupe të caktuara politike në SHBA janë përfshirë në debatin mbi
protestat e zhvilluara së fundmi para Wall Street dhe në qytete të
ndryshme të Amerikës.

Grupi demokrat në Kongres njoftoi mbështetjen e tij për lëvizjen përmes një mesazhi të dërguar me email dhe Twitter.

Ndërsa grupi kundër taksave, Tea Party Express i quajti krahasimet mes tij dhe protestave si “fyese”.

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, deklaroi se demonstruesit mund të qëndrojnë në qytet për sa kohë do të respektojnë ligjin.

Protestat kundër padrejtësisë dhe pabarazisë vazhduan përgjatë gjithë fundjavës në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Qindra persona u mblodhën në disa qendra për të protestuar kundër ndihmave financiare për bankat dhe ndaj shpërndarjes “jo të drejtë” të të ardhurave të SHBA.

Pasi filluan më 17 shtator në shkallë të vogël, protestat e zhvilluara fillimisht rreth Wall Street në Manhatan, u përhapën në të gjithë Amerikën duke u bërë pjesë e debateve politike.

Duke shprehur mbështetjen për lëvizjen, grupi demokrat, që synon të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2012, deklaroi se mbështet ambicjet e lëvizjes popullore.

“Protestuesit po mblidhen në Nju Jork dhe në të gjithë vendin për t’u bërë të qartë miliarderëve, kompanive të naftës dhe bankave të mëdha se ne nuk do t’u lejojmë atyre një për qind të forcës drakoniane ekonomike dhe shkurtimet masive, që janë edhe motivi kryesor i protestave”, deklaroi grupi demokrat.

Në fillim të muajit, për shkak të zgjerimit të protestave, policia në Nju Jork arrestoi rreth 700 manifestues që bërtisnin “Pushtoni Wall Street”.

Top Channel