Kamboxhia, dorëhiqet gjyqtari gjerman

10/10/2011 17:15

Gjyqtari gjerman në gjykatën e OKB-së për genocidin në Kamboxhia ka dhënë dorëheqjen pas deklaratave të qeverisë kundër vijimit të gjykimit.

Siegfried Blunk tha se deklaratat mund të merren si një tentativë e autoriteteve qeveritare për të ndërhyrë në proces.

Ai tha se po jepte dorëheqjen në mënyrë që pavarësia e tij dhe integriteti i gjykatës të mos viheshin në dyshim.

Zoti Blunk ka qenë në qendër të kritikave lidhur me menaxhimin e dy proceseve të reja. Organizata Human Rights Watch kërkoi e para dorëheqjen e tij.

Rreth dy milionë kamboxhianë mendohet se kanë vdekur nga uria, puna e rëndë apo ekzekutimet gjatë regjimit të Khmerëve të Kuq.

Gjyqi për genocid ishte vendosur për të nxjerrë liderët e regjimit përpara drejtësisë. Por deri tani vetëm një cështje, ajo kundër ish-shefit të burgut të Khmerëve, është mbyllur me sukses. Ndërsa katër liderë të tjerë pritet të dalin në gjyq në muajt e ardhshëm.

Është menaxhimi i procesit të tretë dhe të katërt, ku janë përfshirë pesë persona të dyshuar si komandantë të regjimit, që ka shkaktuar përplasjen me gjyqtarin gjerman.

Zoti Blunk dhe homologu i tij kamboxhian You Bunleng shkaktuan shqetësimin tek grupet e të drejtave të njeriut në muajin prill, pasi mbyllen hetimet mbi cështjen e tretë.

Ndërsa javën e kaluar, Human Rights Watch kërkoi dorëheqjen e tyre, me pretendimin se kanë dështuar në kryerjen e një hetimi të saktë, të paanshëm dhe efikas.

Top Channel