Falimenton banka franko-belge

10/10/2011 20:45

Franca, Belgjika dhe Luksemburgu do të ofrojnë së bashku një dorëzani për bankën franko-belge, “Dexia”, e cila po kthehet në viktimën e parë të krizës së borxhit që ka tronditur eurozonën.

Pas frikës se banka mund të shkonte drejt falimentimit, qeveria belge u ofrua të blinte degën e kësaj banke në vend për 4 miliardë euro.

Ministri i Financave i Luksemburgut deklaroi se një grup investimesh nga Katari është i gatshëm të blejë njësinë e saj në Luksemburg.

Sipas drejtuesve të “Dexia”-s, kriza rëndoi akoma më shumë problemet e vjetra të bartuara nga e kaluara, duke vulosur kështu fatin e bankës.

“Kriza e euros na goditi me të gjithë fuqinë e saj. E kishim parashikuar që në muajin maj një situatë të tillë, por kishim ca vështirësi nga e kaluara, një trashëgimi të cilën grupi nuk po e përballonte dot më pa prekur aftësitë e tij operative”, deklaroi Jean Luc Dehaene, president i “Dexia”.

Plani i tre vendeve në fjalë erdhi pas marrëveshjes së kancelares gjermane Angela Merkel me presidentin francez Nicolas Sarkozy për rikapitalizimin e bankave europiane të prekura nga problemet e borxhit.

“Dexia” arriti të siguronte edhe garanci shtetërore prej rreth 90 miliardë eurosh për huamarrje përgjatë 10 viteve të ardhshme.

Banka u detyrua të kërkonte ndihmë për të dytën herë brenda tre vjetëve, pas një mungese likuiditeti që coi aksionet e saj drejt rënies.

Prag-kolapsi i saj ishte në fokusin e liderëve të eurozonës lidhur me nevojën urgjente për të dalë me një plan të detajuar mbi forcimin e bankave europiane në përgjithësi.

Operacionin e shtetëzimit të bankave e filloi edhe qeveria e Athinës, për ato institucione bankare që nuk do të mund të përballojnë dot tërmetin financiar. 

Top Channel