Një televizion në luftë ndaj mafias

07/10/2011 16:00

Një televizion i vogël lokal në Siçili ka nisur një fushatë të guximshme, duke përqendruar të gjithë programacionin e tij në luftën dhe denoncimin e mafias.

Redaksia është e vendosur në Partiniko, një qytet i shëmtuar me pallate gri dhe disa kisha të vjetra, por në të njëjtën kohë, besohet se në rrethinat e qytetit është e përqendruar kupola drejtuese e “Cosa Nostra”-s.

I quajtur “Telejato”, televizioni ka arritur të vendoset në një apartament dhe të mbijetojë përmes shumë vështirësive. Ai ka vetëm një drejtues emisioni, ndërsa reporterja kryesore është vajza e tij.

Pavarësisht se është një media e papërfillshme përsa i përket madhësisë, televizioni është shndërruar në foltoren e zërave të guximshëm që denoncojnë mafian dhe aktivitetet e dyshimta, duke i krijuar shumë kokëçarje krimit të organizuar.

”Ne jemi gjithmonë të parët në skenë përsa i përket mafias dhe madje i kemi shitur pamje edhe kanaleve të mëdha ndërkombëtare si CNN”, thotë Pino Mariaci, drejtori i përgjithshëm dhe spikeri i lajmeve. “Ne kemi qenë të vetmit që kemi arritur të intervistojmë Bernando Provencanon, një prej bosëve më të mëdhenj të mafias ndonjëherë”.

Pa dyshim, “Telejato” është njëkohësisht edhe një vend i rrezikshëm për të punuar. “Ne e konsiderojmë veten burra të besës, kështu vazhdojmë përpara”, rrëfen drejtori. “Megjithatë, nga stresi, kam nisur të pij deri në tre paketa cigare në ditë, kur më parë nuk kam patur pirë fare”.

Me luftën e shpallur ndaj mafias, Mariaci, i cili i ka shpëtuar në një rast plumbave të lëshuar nga një motor në lëvizje, i duhet të jetojë gjatë të gjithë kohës i shoqëruar me një eskortë policie, ndërsa televizioni i tij bën një punë që as forcat shtetërore nuk ia dalin të bëjnë.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA