Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaçi ka përjashtuar çdo mundësi të
dialogut politik me Serbinë. Ai tha se deklarimet lidhur me mundësinë e
këtij dialogu nuk janë të vërteta dhe se negociata me Serbinë mund të
zhvillohen vetëm kur ky shtet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Thaçi këto komente i bëri në panairin e produkteve bujqësore Prishtina 2011, beri te ditur Telegraf.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se negociatat me Serbinë do të bëhen vetëm si dy shtete të pavarura dhe sovrane dhe në asnjë mënyrë tjetër.

Deklarimeve pro dhe kundër bisedimeve politike i është bashkuar të martën edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi.

Sipas kryetarit Krasniqi, bisedimet politike me Serbinë kanë përfunduar në vitin 2007 dhe nuk ka asnjë arsye të rinisin në këtë nivel. Kreu i legjislativit të vendit ka deklaruar se zyrtarisht nuk ka ndonjë material përmes së cilit kërkohet prononcim zyrtar i Kuvendit lidhur me këtë çështje.

“Unë as nuk jam kundër as pro. Duhet të kem një material zyrtar, i cili në një mënyrë është një lloj kërkese ku definohet çështja për çka të bisedohet. Tani për tani nuk kemi asnjë material mbi bazën e të cilit do të jepnim një mendim që do të ishte në interes të opinionit”, tha Krasniqi.

Për bisedime të reja politike, ai ka thënë se së pari duhet të ndryshohet rezoluta në Kuvendin e Kosovës.

“Natyrisht ju e dini që ne e kemi një rezolutë që e kemi nxjerrë për çfare mund të bisedohet dhe për çfare nuk mund të bisedohet, bile më shumë e kemi për çfare nuk mund të bisedohet. Prandaj duhet të ndryshohet kjo rezolutë në Kuvend, për të nxjerrë një rezolutë tjetër për të miratuar vazhdimin e bisedimeve politike, por nuk besoj që do të ndodhë një gjë e tillë.Unë jam i bindur që bisedimet politike janë përmbyllur në Vjenë në vitin 2007 dhe në vitin 2008 është shpallur pavarësia e Kosovës dhe në këtë rrafsh unë nuk shoh arsye për t’u zhvilluar bisedime politike”, tha Krasniqi.

Diplomatë të ndryshëm të Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar mundësinë e fillimit të dialogut të ri politik mes Kosovës dhe Serbisë, pas përfundimit të dialogut teknik. Debati rreth bisedimeve politike eshte ashpersuar ne Kosove pasi u vu re një lëkundje e lidershipit kosovar për të kaluar të ashtuqajturën “vijë e kuqe” të dialogut teknik me Serbinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA