
Sezoni i rregullit i kampionatit amerikan të basketbollit, NBA, rrezikon
seriozisht të anullohet për këtë vit, ndërsa një takim i realizuar
midis pronarëve dhe lojtarëve dështoi përsëri për të ndërprerë grevën e
shpallur nga basketbollistët
Në kushtet aktuale, në rastin më të mirë, kampionati do të nisë me dy javë vonesë, ndërsa miqësoret shumë fitimprurëse parasezonale janë anulluar. Ditën e hënë do të realizohet takimi përfundimtar mes sindikatës së basketbollistëve dhe klubeve. Nëse kërkesat e lojtarëve nuk do të plotësohen, atëherë do të shpallet anullimi i këtij sezoni të NBA-së.
Nga një mundësi e tillë do të përfitonte shumë basketbolli europian, ku po përgatitet kalimi për të paktën një vit i yjeve më të mëdha të NBA-së. Koby Bryant, prej disa ditësh është duke biseduar me Virtus Bolonjën, për një kalim në kampionatin italian.
Marrëveshja, e konsideruar si shumë pranë zyrtarizimit, gjithsesi nuk do të jetë e vetmja. Tony Parker, është duke konsideruar mundësinë e kalimit në Francë, ku do të luajë me skuadrën e Asvelit, të Vilurbanës. Ylli rus, Andrei Kirilenko, pritet të rikthehet gjithashtu në vendlindje, për të luajtur në radhët e CSKA-së së Moskës.
Problemi midis Ligës së Basketbollit Profesionist Amerikan dhe Sindikatës së lojtarëve është mbi të gjitha ekonomik. Përballë reduktimit të të ardhurave, pronarët janë përpjekur të ndryshojnë një ligj që dërgon 57% të të ardhurave totale në xhepat e basketbollistëve, duke kaluar 53-47 në favor të tyre. Sindikata ofron në rastin më të mirë vetëm 47% për pronarët.
Anullimi i miqësoreve parasezonale përkthehet për NBA-në me një humbje prej 200 milion eurosh të ardhura nga të drejtat televizive dhe turet e fitimprurëse të skuadrave nëpër botë. Nisja me vonesë e sezonit do të bënte të detyrueshme shkurtimin e kalendarit, duke sjellë humbje të tjera shtesë për Ligën.
Top Channel