Të vdesësh për një biftek… qeni

04/10/2011 00:00

Të të vrasin për një qen. Ose të vdesësh. Në Vietnam, jeta e njerëzve mund të ketë një lidhje shumë të ngushtë me atë të kafshës më mike të njeriut. Por kjo nuk ka të bëjë fare me dashurinë to. Pas këtyre betejave të përgjakshme, të cilat mediat ndërkombëtare i kanë quajtur “Luftërat e Qenve”, qendron një çështje e thjeshtë dhe shekullore: vjedhja e bagëtisë. Në Vietnam në bagëti bëjnë pjesë edhe qentë. Të cilët grabiten nga hajdutë profesionistë në këtë fushë, që lëvizin në qytete e fshatra në kërkim të kafshëve të përshtatshme. Më pas i shesin në restorantet e Hanoit dhe qyteteve të tjera mëdha, ku mishi i qenit është baza e pjatave tradicionale dhe më të shitura.

Fitim i lehtë

Mishi i qenit konsumohet në vendet e azisë jug-lindore, ku kultura e kafshës shtëpiake, ashtu si në botën perëndimore, pothuajse nuk ekziston. Megjithatë ka edhe nga ata që i përdorin qentë për mbrojtjen e shtëpive apo të prodhimit bujqësor dhe jo vetëm si burim ushqimi. Por çmimi “i kripur” që paguajnë restorantet për këtë lloj mishi ka bërë që të lindë “profesioni i ri”. Sipas Associated Press, një qen që peshon 20 kg mund të shitet për rreth 80 dollarë amerikanë, apo sa paga mestare mujore e një punëtori vietnamez. Shumë personave grabitja e qenve tashmë u duket një alternativë më komode se një punë e zakonshme. Kjo është arsyeja që numri i grabitjeve të qenve është rritur frikshëm muajt e fundit.

Dhuna në rritje

Tani, hajdutët e qenve janë më të rrezikshëm, sofistikuar dhe të paparashikueshëm. Për t’i bërë ballë sulmeve të vazhdueshme të tyre, popullata e zonave rurale, ka filluar të bëjë vetëdrejtësi. Edhe brutalisht: në qershor, në provincën e Nte An, një burrë u rrah për vdekje, më pas trupit të tij i vunë flakën dhe e nxorrën në rrugë si shenjë paralajmërimi për grabitësit e tjerë. Në gusht, përpara se të kontrabandoheshin në Vietnam, në Tajlandë u sekuestruan dhe u nxorrën nga kafazet 1800 qenë. Disa ditë më parë, në provincën e Sok Trankut, doli në skenë një tjetër vrasje për këtë çështje: dy burra u vetëdorëzuan në polici pasi kishin vrarë të zotin e një qeni i cili po i ndiqte teksa i kishin vjedhur kafshën. Grabitësit e qëlluan me harkun që përdornin për qentë përpara se t’i kapnin dhe e goditën në zemër.

Denoncimet dhe pandëshkueshmëria

Një gjendje mjaft e rëndë, për të cilën policia është plotësisht në dijeni. Por nuk mund të bëjë pothuajse asgjë: agjentët janë të paktë në numër dhe popullata ka filluar të mos i denoncojë më rastet e grabitjeve, duke i konsideruar një humbje kohe. Sipas ligjit vietnamez nuk mund të ndiqesh penalisht nëse vlera e një grabitjeje nuk i kalon 2 milionë dongët (rreth 70-80 dollarë) dhe në pjesën më të madhe të rasteve policët mbyllin njërin sy.

Ndryshim mentaliteti…

Në restorante, mishi i qenit serviret në disa mënyra: në furrë, rosto, madje edhe si supë. Ka raste kur qentë i rrjepin dhe i varin jashtë lokaleve për të tërhequr turistët. Mishi i qenit në zgarë është shumë popullor në fund të çdo muaji hënor (ata me 30 ditë), kur ushqimi me bazë mishin e kafshës së gjorë konsiderohet ogurmirë. Për këtë arsye, tregu i zi i qenve është në rritje të vazhdueshme. Gjithsesi, diçka po ndryshon edhe në sensibilizimin e popullatës për këtë çështje. “Janë dy rryma të kundërta që po përballen – shpjegon për Associated Press Robert Lusius, ish-zyrtar i ambasadës amerikanë në Hanoi dhe themelues i Lairos Coaliton, një shoqate me qendër në Kaliforni e cila promovon trajtimin dinjitoz të qenve -, ajo e vjetra e lidhur me tregtinë e mishit të qenve, dhe kjo e viteve të fundit, e cila i sheh kafshët edhe si qenie që mund t’i bëjnë shoqëri njeriut”. Në këtë front janë të angazhuara edhe shoqatat vietnameze e veterinerët vendas, por nuk e kanë aspak të lehtë.

… dhe kontradikta

Por kontradiktat mbeten dhe shihen qartë në historinë e një rritësi 50-vjeçar, që në muajt e fundit është grabitur dhjetëra herë. “Është e vështirë të rrisësh një qen të mirë, edhe unë do t’ia vija duart në fut një hajduti nëse do të më binte në duar”, shprehet ai. Dhe pyetjes së gazetarit, nëse do ta hante mishin e qenve të tij iu përgjigj: “Nëse dua mish qeni, e gjej në restorant”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA