Censusi, minoritarët nuk bojkotojnë

04/10/2011 19:55

Një pjesë e mirë e banorëve të Dropullit i janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të anketuesve për të plotësuar formularët e censusit të popullësisë.

Në zonat e banuara nga minoriteti grek, organizata “Omonia” ka vendosur thirrje për bojkotin e procesit, por banorët nuk i janë përgjigjur e kanë respektuar anketimet.

”Ne kemi qenë grekë dhe do të vdesim si të tillë, por e dimë që banojmë në Shqipëri dhe nëse këto të dhëna i nevojiten shtetit, nuk kemi përse të mos i japim”, shprehet njëri prej banorëve.

”Omonia erdhi dhe bëri thirrjet e saj, por ne nuk shohim asgjë të keqe në këtë regjistrim”.

Anketuesi në fshatin më të madh të minoritetit grek në Derviçan, Mihal Mano, thotë se ka regjistruar të gjitha familjet ku ka trokitur dhe procesi ecën normalisht.

”Kam vizituar 11 shtëpi në tre ditë dhe nuk kam ndeshur asnjë rast të vetëm refuzimi për t’u përgjigjur. Të them të vërtetën, nuk e prisja një zhvillim kaq pozitiv, duke qenë se kisha dëgjuar për thirrjet që ishin bërë nga organizata të ndryshme për të bojkotuar procesin. Në këtë census, nuk shkelet asnjë prej të drejtave të minoritarëve”, shprehet Mano.

Në Dropull, aktualisht jeton më pak se gjysma e familjeve rezidente krahasimisht me 20 vite më parë. Anketuesit do të vendosin shifrën zero në të dhënat për banesat e mbyllura.

Kjo, sipas PBDNJ dhe “Omonia”-s është shkelje e të drejtave të minoritetit. Njëherazi, në deklaratën e Këshillit Kombëtar të Omonias thuhet se arsye të tjera për bojkot janë etiketimi i minoritetit etnik grek si grup etno-politik, formularët vetëm në gjuhën shqipe, pamundësia e kryefamiljarit për të deklaruar kombësinë për anëtarët e tjerë të familjes që mund të mungojnë dhe të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA