Megjithëse qendroi për 90-të minuta në stol, Lorik Cana shprehet i lumtur për fitoren 2-1 të Lacios në Firence.
Pas një fillimi të vështirë edhe për shkak të dëmtimit të pësuar në ditët e para të fazës përgatitore, mesfushori kuqezi ka nisur të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës së Edi Rejës, i cili e aktivizoi 28-vjeçarin si titullar ndaj Palermos në kampionat dhe Sportingut të Lisbonës në Ligën e Europës.
“Ajo ndaj Fiorentinës ishte një fitore e madhe për ne”, shkroi Cana në profilin e tij në Facebook, deklaratë që më pas u pasqyrua nga disa media romane. Sipas tyre, ndeshja në të cilin mesfushori kuqezi deri tani ka bindur më shumë ishte ajo e së enjtes ndaj skuadrës luzitane.
Aktualisht Lacio ndodhet në vendin e shtatë në Serinë A me 8 pikë, tre më pak se dyshja kryesuese Juventus-Udineze. Pas pushimit të kësaj jave për shkak të ndeshjeve të fundit në grup për eliminatoret e Euro 2012, bardhekaltrit kanë sfidën më “të nxehtë” të sezonit, derbin me Romën, një sfidë që Cana dëshiron ta luajë me çdo kusht.
Top Channel