Sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema dhe mbrojtësi i djathtë i Arsenalit, Bakari Sanja, nuk do të jenë të gatshëm të zbresin në fushë për Francën të premten ndaj Shqipërisë.
23-vjeçari, autor i golit të parë në sfidën e 2 shtatorit në “Qemal Stafa”, pësoi një dëmtim në ije në ndeshjen e javës së kaluar në Ligën e Kampionëve ndaj Ajaksit, ku shënoi golin e tretë për madrilenasit. Dëmtimi i Benzemasë është i dyti brenda pak ditëve për teknikun Loren Blank, teksa as anësori i Sanja nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit të “Gjelave” ndaj kuqezinjve, pasi theu këmbën në derbin e së dielës ndaj Totenhemit. “Nuk mund ta rekuperojmë Benzemanë për Shqipërinë. Dëshironim ta kishim në dispozicion për ndeshjen e së martës me Bosnje-Hercegovinën, por mjekët u treguan kategorikë”, deklaroi Blank.
Pas këtij dëmtimi sulmuesit në dispozicion të krysuesve të Grupit D për dy ndeshjet e fundit eliminatore të Euro 2012 janë katër: i rikthyer Bafetemi Gomis (Lion), Kevin Gameiro (PSG), Loik Reim (Olimpik Marsejë) dhe Frenk Riberi (Bajern Mynih).
Top Channel