“Jam mirënjohëse për faktin që kam një fytyrë”

26/09/2011 10:50

Në vitin 2004, Connie Culp u qëllua me armë zjarri në fytyrë nga bashkëshorti i saj Tom pas një zënke duke shpëtuar për mrekulli, por buza e sipërme, hunda, njëri sy dhe të dy mollëzat e gruas u shkatërruan plotësisht.

Në vitin 2008, 48-vjeçarja u bë personi i parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që bënte një transplant fytyre dhe tashmë ajo tregon historinë e dhunës vetëm një javë pasi Tom ka dalë nga burgu pas 7 vitesh dënimi për krimin e tij.

“Mbaj mend gjithçka. Mbaj mend momentin kur ai ngriti pushkën, fjalët që më tha dhe zhurmën e fortë. Aty më ndryshoi jeta dhe ato imazhe nuk do t’i harroj kurrë”, shprehet Connie.

“Më parë më kishte goditur disa herë, por kurrë nuk mendoja se mund të bënte diçka të tillë”, thekson gruaja nga Ohio.

Edhe pse ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë që për pak e lanë edhe të verbër, Connie ende e do Tomin: “Do ta dua gjithmonë sepse ai është babai i dy fëmijëve të mi, por nuk mund të qëndroj më pranë tij.”

“Ai bëhej xheloz sepse unë isha shumë popullore, por më shumë ishin femrat që më donin. Gjithashtu, ai nxehej shumë kur lokali që mbanim bashkë nuk nxirrte shumë para dhe erdhi një ditë kur ai thjesht mori pushkën dhe mu drejtua mua”, tregon Connie.

Tom Culp, pasi qëlloi bashkëshorten e tij, futi pushkën në gojë dhe tërhoqi këmbëzën duke i shkaktuar edhe vetes dëmtime të rënda, por ashtu si Connie edhe ai mbijetoi çuditërisht. Connie dhe Tom kanë zyrtarizuar divorcin vetëm majin e kaluar.

“Dua të shoh jetën time tashmë. Jam mirënjohëse që i mbijetova atentatit dhe transplantit të fytyrës. Jam mirënjohëse që kam një fytyrë edhe pse nuk është e imja. Dua të shijoj momentet me fëmijët dhe nipin tim të vogël. Është e vështirë, por jeta ime tashmë është shumë më e mirë ”, përfundon Connie.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA