Opozita tek minatorët në Bulqizë

21/09/2011 21:00

Përfaqësues nga opozita e bashkuar kanë udhëtuar mesditën e së mërkurës drejt Bulqizës për të parë nga afër gjendjen e minatorëve grevistë.

Deputeti Saimir Tahiri, Kurt Kola dhe Petro Koci janë takuar me minatorët grevistë të cilët krahas përballjes me këtë grevë urie kanë shprehur edhe shqetësimin për një hakmarrje ndaj fëmijëve të tyre të orkestruar nga Drejtoria Arsimore.

“Fëmijët tanë nuk kanë lekë për të shkuar në shkollë. Dil nga greva, shko në shtëpi, fëmija të lutet për 100 lekë. Kjo është një katastrofë! Sot Bulqiza, që duhet të ishte thesari më i cmuar, po vuan”, ka deklaruar një minator.

Nga Bulqiza deputeti Saimir Tahiri ka komentuar edhe deklaratat e ministrit të Bujqësisë Genc Ruli, i cili ftoi opozitën t’i dërgonte provat në prokurori.

“Genc Ruli ka dalë prapë sot në konferencë për shtyp dhe ka thënë se do ta zbardhë cështjen e Bulqizës dhe sipas tij, ne kemi bërë akuza të padrejta ndaj tij. Ruli duhet të ishte para drejtësisë. Të paktën të kishte mirësinë ky shtet, ose kjo qeveri, që t’u jepte përgjigje minatorëve. Të gjithë duhet të thoni se, nuk jeni skellevër, as të Rulit e as të askujt tjetër”, ka deklaruar Tahiri.

PS: Të tjera fakte për kromin

Deputeti dhe kreu i Partisë Socialiste për Tiranën, Saimir Tahiri ka ritheksuar akuzat ndaj Genc Rulit dhe zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj si të lidhur me kondrabandën e kromit dhe shkelje të tjera në sektorin minerar.

Pavarësisht padisë së dy zyrtarëve të lartë, zoti Tahiri tha se socialistët do të vazhdojnë hetimet e tyre mbi skandalet e njëpasnjëshme ku janë të përfshirë jo vetem Kuliçaj e Ruli, por sipas tij edhe drejtues të tjerë qendrore e lokalë.

“Nuk kam gënjyer kur kam thënë se në Bulqizë po konsumohet një Gërdec i heshtur, nuk kam gënjyer kur kam thënë se minatorët po vuajnë korrupsionin e qeveritarëve, nuk kam gënjyer se sot bëhet kontrabandë minerar, nuk kam gënjyer kur kam thënë se Genc Ruli ka shtyrë gjobat për firmën konçesionare në Bulqizë”, thotë deputeti Tahiri.

Sipas socialistit Tahiri, çështja e kromit në Bulqizë do të zbardhet plotësisht ndaj, sic tha ai, zyrtarët e qeverisë bëjnë mirë të japin përgjigje për to e të mos ngrenë padi të kota që synojnë të shmangin vëmendjen nga skandalet

“Është për të ardhur keq që po të njëjtët njerëz të cilët duke korruptuar drejtësinë kanë mbyllur skandalet e tyre, sot po keqpërdorin drejtësinë për t’i mbyllur gojën opozitës. Ulja e reputacionit është cinike dhe qesharake. Nëse Ruli reputacionin e fiton me milionat që fiton me korrupsionin, unë nuk mund të heq dorë nga e vërteta”, deklaron zoti Tahiri.

Pak ditë pasi deputeti Tahiri publikoi në parlament dokumente që sipas tij provojnë abuzimet e Rulit, në kohën kur drejtonte Ministrinë e Ekonomisë, Ruli njoftoi dorëzimin e një padie për shpifje ndaj Tahirit. Të njëjtën padi ngriti edhe zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Agron Kuliçaj.

“ACR e krijuar nga njerëzit e Rulit”

Që nga shfrytëzimi i pasurive minerare të Bulqizës nxirren përfitime të konsiderueshme, këtë e dëshmon numri i dhjetëra firmave private që punojnë në minierën e Bulqizës.

Në këtë histori të komplikuar shoqërish tregtare, që kanë përfituar disa dhjetëra miliona dollarë në vit nga shfrytëzimi i minierës së Bulqizës, opozita dëshmoi se ka patur marrëveshje zyrtare për të toleruar shkeljen e marrëveshjes nga ACR-ja.

Një marrëveshje, që sipas deputetit Sajmir Tahiri, është shndërruar në një marrëdhënie korruptive, ku në epiqendër ai vendos ish-ministrin e Ekonomisë Genc Ruli. Fillimisht, Tahiri deklaroi emrat dhe lidhjet e përfaqësuesve të Darfo dhe me pas të ACR-së, të cilët sipas tij rezultojnë të jenë pothuajse të njëjtët.

“Përfaqësuesit kanë qenë Eduard Belegu, ish-funksionar i Metës dhe Kristo Robi, që Genc Ruli e njeh shumë mirë. Ky i fundit, shok klase dhe mik i ngushtë me Rulin. Duket se me miratimin e Rulit, shoku i tij të drejtën për të shfrytëzuar minierën e kaloi nga Darfo tek ACR, që e kishte krijuar vetë”, deklaroi Tahiri.

Për ish-ministrin e Ekonomisë Genc Ruli, deputeti Tahiri tha se në 17 shkurt 2009 kishte pezulluar marrëveshjen me ACR-në dhe vetëm dy ditë më vonë kishte firmosur më ta një marrëveshje për të shtyrë me disa vjet planin e investimeve.

Më pas, sipas zotit Tahiri, ministri Ruli kishte pranuar më 9 korrik, një ditë pas kërkesës së ACR-së, të modifikonte sërish marrëveshjen, këtë herë për të shtyrë shlyerjen e penaliteteve, të vendosura po prej tij.

Modifikimi i kësaj marrëveshjeje nuk u miratua në Parlament dhe Partia Socialiste thotë se ajo është e pavlefshme.

“Më e pakta që mund të kuptohet ishte qarku i shkurtër dhe kontrata nën tavolinë e bërë nga Genc Ruli dhe shoku i tij në ministri”, theksoi deputeti Tahiri.

Top Channel