Pronat, problemet më të mëdha janë burokratike

20/09/2011 04:15

Problemi i pronësisë me defekte në Shqipëri shpesh imagjinohet si ai i konfliktit mes pronarëve të para kohës së komunizmit dhe ndërtuesve pa leje apo fshatarëve që morën tokë nga ligji 7501.

Por një raport i Institutit për Liri dhe Demokraci, i ekonomistit peruan Herndando De Soto, vëren se në vendin tonë ka ndoshta edhe më shumë prona që janë jashtë konfliktit kryesor dhe që mbeten gjithashtu të pashfrytëzuara apo të nënshfrytëzuara për probleme të vogla burokratike, të cilat janë lehtësisht të zgjidhshme nëse ekziston vullneti i nevojshëm politik.

Duke iu referuar raportit, gazeta “Shqip” shkruan se, disa nga problemet më të rëndomta janë gabime me titujt e pronësisë, kufizimet e përmasat, kostoja e lartë ligjore e prodhimit të dokumenteve të rregullta në raport me vlerën e pronës, shtesat pa leje të kryera në prona me leje jo vetëm në 20 vitet e fundit, por edhe gjatë kohës së komunizmit apo kufizimet ligjore në destinacionin e përdorimit të tokës.

“Në Shqipëri ka aktualisht rreth 580 mijë prona, nga të cilat rreth 20 mijë janë të vendosura si kolateral”, thuhet në raportin e peruanit De Soto, një ekonomist i kritikuar shpesh në të gjithë botën si njeri që nuk disponon konceptet bazë të ekonomiksit, por që gjithsesi qeveria shqiptare e prezantoi në vitin 2006 si superkëshilltari që do të zgjidhë të gjitha problemet tona.

Gabimet në regjistër mund të jenë shkaktuar nga arsye të rëndomta: përgjatë historisë, punonjësit e zyrave të regjistrimit të pronave mund të kenë shkruar emrin e pronarit gabim, shpesh për shkak të dialektalizmave, mund të kenë vendosur pronarët kufitarë në krah të kundërt, d.m.th, që të shkruajnë kufizuesin e veriut në jug apo anasjelltas, mund të kenë shkruar se prona është bodrum kur në fakt është oborr etj.

Të gjitha këto probleme ngjajnë të vogla, por hapin telashe të mëdha në praktikë. Kështu, për të konfirmuar identitetin e pronarit, emri i të cilit është shkruar gabim në një germë, nevojitet të shkohet në gjykatë. Për të ngritur padi, tarifa aktuale është rreth 100 euro.

Prona me shtesa

Në një numër të madh rastesh, pronat urbane në Shqipëri kanë shtesa pa leje. Shtëpitë njëkatëshe apo dykatëshe kanë kryer dhoma shtesë në oborr, qoftë para viteve ‘90, qoftë pas, dhe këto shtesa rezultojnë pa leje e të paregjistruara, pavarësisht se nuk ka konflikt pronësie.

Në zonat urbane ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm rastesh që një pronë nuk ka njohur freskim të titullit të pronësisë në regjistra tashmë prej dekadash, për shkak se pronarëve nuk u është nevojitur rifreskimi.

Në këtë rast, procedurat nëpër hipoteka janë rraskapitëse dhe kërkesat janë në kufijtë e absurdit. Për të plotësuar regjistrin, kërkohen nga pronari dokumente të llojit, kontratë shit-blerjeje e vitit 1924, apo kërkohen dokumente ligjore me standardet e ditëve tona, pavarësisht se shteti nuk ka punuar me të njëjtat standarde para 20 apo 50 vjetësh.

Tokat në bregdet

Pronësia e tokave në bregdet nuk ka aq shumë pretendime konfliktuale se sa ka mungesë të gatishmërisë së shtetit për të shpërndarë tituj pronësie.

Banorët e këtyre zonave shumë shpesh nuk kanë fuqitë e nevojshme financiare për të kryer udhëtimin e pafund nga një zyrë e shtetit në një tjetër, gjë që e bën për ta praktikisht të pamundur nxjerrjen e titujve të pronësisë të freskuar.

Ndërkohë, në disa raste, banorët kanë pronësinë reale të një shtëpie të ndërtuar para 50 apo 100 vjetësh, por nuk e kanë regjistruar kurrë këtë pronësi.

Toka bujqësore

Pronësia e tokës bujqësore në shumë raste nuk ka konflikt, por vlera tregtare e ngastrave është tepër e vogël përballë kostos së stërmadhe fizike, mendore dhe financiare që mbart procedura e prodhimit të një titulli të rregullt pronësie.

Në zonat ku qëllimi i tokës është tërësisht bujqësia, çmimi i tokës varion në 100 deri në 500 mijë lekë për dynym në varësi të cilësisë.

Por prodhimi i titullit të pronësisë mund të gllabërojë një pjesë të madhe të kësaj shume, dhe rrjedhimisht, shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk merren me këtë punë. Për shkak se nuk kanë tituj pronësie, ata nuk e vendosin dot tokën si kolateral për të financuar investime.

Pronat e mafias, qeveria në vështirësi

Në kushtet e vështirësisë për të sekuestruar pronën si e drejtë që rrjedh nga vendimi gjyqësor apo ato administrative, qeveria kërkon ndihmën e shoqërive private përmbarimore.

Vendimi është marrë dje në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave dhe konsiston në rishikimin VKM, miratuar në korrik të vitit 2010,

“Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, dhe të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të përmbarimit gjyqësor”.

Sipas gazetës “Shqip”, vendimi thotë se, dorëzimi i pasurisë së revokuar te pronari i pasurisë bëhet sipas procedurave të Kodit të Procedurës Civile dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës, të cilin përmbaruesi gjyqësor e merr nga administratori i pasurisë.

Në rastin e mosmarrjes në dorëzim të pasurisë nga pronari i saj, me kalimin e afatit 30-ditor nga data e marrjes së njoftimit të aktit të revokimit të pasurisë së sekuestruar/konfiskuar, Agjencia i kërkon gjykatës, që ka vendosur revokimin e aktit, heqjen nga administrimi i saj të pasurisë së sekuestruar dhe/apo konfiskuar”.

Agjencia përjashtohet nga pagesa paraprake e shërbimit për ekzekutimin e vendimit të sekuestrimit/konfiskimit, kurse tarifat e përcaktuara në këtë vendim aplikohen dhe për pagesat e shërbimeve përmbarimore, të cilat nuk janë kryer nga Agjencia deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”.

Top Channel