Ofensivë kundër nismës palestineze

15/09/2011 09:25

Zyrtarë amerikanë dhe evropianë kanë nisur një ofensivë diplomatike në përpjekje për të parandaluar paraqitjen e kërkesës palestineze në OKB.

Diplomatët amerikanë Dennis Ross dhe David Hale, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton dhe i dërguari për Lindjen e Mesme, Tony Blair ndodhen në rajon për të ringjallur procesin “e vdekur” të paqes.

Palestinezët po përgatiten të paraqesin një kërkesë për anëtarësim në radhët e Kombeve të Bashkuara më vonë gjatë muajit.

Izraeli ka paralajmëruar për “pasoja të ashpra dhe të rënda” nëse kjo përpjekje e Autoritetit Palestinez shkon përpara.

Zoti Ross dhe zoti Hale mbërritën në Izrael të mërkurën dhe zhvilluan bisedime me kryeministrin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Ehud Barak.

Sipas Departamentit të Shtetit, ata duhet të udhëtojnë të enjten edhe në Bregun Perëndimor për të biseduar me liderin palestinez Mahmoud Abbas.

Baronesha Ashton zhvilloi gjithashtu bisedime me zotin Netanyahu të mërkurën në mëngjes dhe njoftoi se do të zgjaste vizitën e saj për bisedime të mëtejshme.

“Shpresoj se në ditët e ardhshme ajo që do të arrijmë ne do të jetë dicka që të mundësojë rifillimin e bisedimeve”, deklaroi Ashton.

Analistët thonë se Bashkimi Evropian mund të ndahet mbi cështjen e shtetësisë palestineze nëse ajo kalon për votim në OKB, ku disa shtete do ta mbështesin dhe disa jo.

Për këtë cështje, sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton zhvilloi dje bisedime me të dërguarin e Katërshes në Lindjen e Mesme, Tony Blair, si dhe me vetë baroneshën Ashton.

Top Channel