Republikanët, në Nju Jork pas 90 vjetësh

14/09/2011 21:30

Presidenti amerikan Barack Obama ka pësuar një humbje të dyfishtë pasi republikanët fituan dy vende në Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikani Bob Turner fitoi një sfidë të rëndësishme elektorale dhe do të pasojë kongresmenin demokrat Anthoni Weiner, i cili dha dorëheqjen në qershor pas një skandali seksual.

Drejtuesi i dikurshëm mediatik është i pari republikan që merr zyrën në rajonin e Nju Jorkut që prej vitit 1920.

Ndërkohë, republikani tjetër Mark Amodei mposhti demokraten Kate Marshall në Nevada.

Duke folur para mbështetësve të tij pas fitores, Turner tha se njerëzit votuan kundër politikës fiskale “të papërgjegjshme” të presidentit.

I mbështetur nga ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudolph Giuliani, zoti Turner tha se vota ishte një referendum për presidentin Barack Obama.

Analistët e mediave ndërkombëtare thonë se humbja në këtë proces zgjedhor përbën një shuplakë simbolike për Shtëpinë e Bardhë, në një moment kur presidenti Obama ka nisur lëvizjet për të kërkuar rizgjedhjen në krye të shtetit.

Anthony Weiner, i cili ka shërbyer në Dhomën e përfaqësuesve për shtatë mandate, dha dorëheqjen pas zbulimit se i kishte dërguar një seri fotosh një numri të konsiderueshëm femrash përmes rrjetit social Twitter.

Me 84% të votave të numëruara, Turner kishte fituar 54 për qind të votave krahasuar me demokratin David Ëeprin, me 46 për qind.

Top Channel