Raketa iraniane godet një anije cisternë të Katarit, evakuohet ekuipazhi prej 21 personash
Në Belgjikë është thelluar më tej kriza politike, pas njoftimit të kryeministrit të përkohshëm, Yves Leterme, për të dhënë dorëheqjen.
Dorëheqja e Leterme vjen pasi ai ka pranuar ofertën për t’u bërë nënsekretar i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Kjo lëvizje e papritur ka bërë që mbreti Albert II të ndërpresë vizitën e tij në Nisë të Francës dhe të kthehet në Bruksel, për të ndjekur zhvillimet politike.
Lideri i socialistëve në Belgjikë, Elio di Rupo ka denoncuar “bllokimin e thellë” të negociatave politike, ndërkohë që është ngarkuar me detyrën e formimit të qeverisë së re.
Sot është dita e 458 që Belgjika është pa një qeveri me kompetenca të plota, një rekord ky në kontinentin e vjetër, por edhe në botë.
Ishte Angel Guerria, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, që i propozoi Leterme detyrën e re.
Ky i fundit ka deklaruar se ka ndërmend të marrë detyrën e re në përputhje me kohën që i duhet për të cuar në fund përgjegjësitë si kryeministër.
Ndërkohë, burime nga OSBE bëjnë të ditur se kryeministri në ikje i Belgjikës duhet të jetë i gatshëm për t’u ulur në postin e ri brenda fundit të vitit.
Top Channel