Eni Vasili  – Një nga intervistat më interesante dhe takimet më të veçanta që kam
pasur në vitet e mia të punës ishte ai i kësaj vere, me Tariq Ramadan.

Për ata që nuk e njohin ai është një shkrimtar, filozof, publicist, teolog shumë i njohur. Revista “Foreign Policy” e ka renditur të tetin në listën e 100 intelektualëve më me influencë sot në botë.

Ai është një personalitetet që mbron me forcë shumë pikëpamje shpesh edhe kontroverse, deklaratat e tij pasohen shumë herë nga polemika të zjarrta. Ata që polemizojnë me idetë që ai hedh janë filozofët më të famshëm të kohës tonë apo politikanë si Nicolas Sarkozy, Presidenti i Francës, dhe gazetarë si Fareed Zakaria i CNN-it.

Intervista që realizova me të, menjëherë pas publikimit, prodhoi vëmendje shumë të madhe. Jehona e saj te teleshikuesit apo në forumet e botës virtuale të komunikimit kibernetik vazhdon edhe sot që flasim.

Dhe kjo, jo sepse Tariq Ramadan është një personazh shumë i njohur për shqiptarin e thjeshtë. Ishin jo të shumtë edhe miqtë e mi “intelektualë” që njihnin mirë këtë personazh, botimet, këndvështrimet për botën dhe qasjen e tij ndaj realitetit.

Porse ato që tha dhe mënyra si i transmetoi mesazhet e tij, e veshën shpejt profesorin e Oksfordit me kostumin e atyre që emërtohen: “SHPIRTI PUBLIK”.

Shpirti publik sipas shpjegimeve të anglofonëve është: “having or showing active interest in public welfare or the good of the community”, pra të kesh ose të tregosh interes aktiv në çështjet me interes publik në të mirë të komunitetit.

Dhe tezat që artikulon Ramadan janë absolutisht të tilla. Ai thotë për shembull se të gjitha filozofitë, të gjitha fetë, të gjitha shoqëritë po ballafaqohen me një krizë morale. Se në shkollat tona, u mësojmë fëmijëve që të jenë produktivë, të jenë të parët, të fitojnë para, por ndërkohë duhet të pyesim veten çfarë duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë që të jenë qytetarë të përgjegjshëm dhe kjo nuk është thjesht çështje fetare apo edukate, por çështje dinjiteti.

Tariq Ramadan thotë se bota është në një situatë të tillë, pasi ne jemi të obsesionuar me fitimin e më shumë parave, e të pasurit më shumë pushtet dhe ngatërrojmë mirëqenien me pasurinë dhe paratë. Ajo çfarë duhet të bëjmë në këtë botë është të mos jemi spektatorë dhe të mos luajmë rolin e viktimës;

Duke reflektuar mbi shpirtin publik, rëndësinë e tij, impaktin që personazhe të tilla kanë në shpirtin dhe mendjet e njerëzve nisa të bëj një kërkim mbi çështjen.

Së pari, togfjalëshit “shpirt publik” në kërkimtarinë e internetit në gjuhën shqipe i korrespondonin vetëm faqe rozë, kryesisht me tema dashurie: shpirti.com, poezi të shpirtit etj.

Asnjë eseistikë, asnjë shkrim ku mund të merrje referenca, asnjë ide ku mund të frymëzoheshe.

A ekziston shpirti publik sot në Shqipëri, kush e udhëheq atë, a ka modele të shëndetshme që mund të pasurojnë dhe drejtojnë mendimin publik?

* * *

Në një bisedë me shkrimtarin Amik Kasoruho, ky i fundit mbron idenë se personazhe të tilla në Shqipëri ka shumë, por janë reflektorët mediatikë që nuk kthehen shpesh nga ta. Por a janë ata ku sot është e përqendruar vëmendja mediatike, njerëzit që mund të udhëheqin shpirtin publik.

Dy janë kategoritë që kanë sot vëmendjen më të madhe të mediave po të ndiqni gati të gjitha llojet e emisioneve televizive: lajme, debate, talk show dhe show mirëfilli.

Politika dhe vetvetja: pra personazhet që vetë media ka prodhuar, qofshin këta profesionistë të fjalës apo VIP-a rishtarë të reality show-ve.

Ta nisim nga vetja.

Më së shumti ata që njihen si reflektorë dhe zëdhënës të shpirtit publik janë kategoria e gazetarëve dhe opinionistëve.

Po të kemi parasysh që të paktën që nga 8 maji në Shqipëri përveç alarmit fals të Griseldës dhe humbjes së kombëtares me Luksemburgun, lajmi i parë i çdo televizioni, i madh apo i vogël qoftë, ka pasur të bëjë me hapjen ose jo të kutive, vjedhje votash e rrëmbime mandati, kuptohet se në çfarë simbioze jetojnë politika dhe gazetaria sot.

Po kështu edhe opinionbërja për shumë kohë është vërtitur ekskuluzivisht rreth të njëjtave diskutime.

Në periferi të vëmendjes ose inekzistente çdo temë tjetër që ka të bëjë me problemet e përditshmërisë së qytetarëve, por edhe të ardhmërisë. Asnjë përgjigje për shumë pyetje ekzistenciale.

Fjala vjen, është e pamundur të gjesh nëpër televizione biseda mbi të ardhmen e rendit botëror, që siç thotë Tariq Ramadan, kemi nevojë absolutisht për të shpikur një të ri në kushtet kur aktuali po tronditet nga themelet. Asnjë orator i bisedave nokturne të ekranit të vogël nuk na tregon nëse demokracia liberale që po jetojmë është zgjidhja më e mirë, nëse shfaqja e bashkëjetesës fetare është ashtu siç duket, nëse teknologjia po vret krijimtarinë, nëse raporti i politikës me mjedisin është shpërpjesëtuar deri në rrezik etj., etj.

Pothuaj askund nuk gjen një hapësirë reflektimi që të të lartësojë shikimin mbi horizontin ku mësohesh të shtrish vështrimin që na konsumon media e të gjitha llojeve zakonisht.

Sot bota është e përfshirë në krizën më të madhe të besimit ndaj sistemit. Prag falimenti amerikan, rikthimi i trazirave të dhunshme në Greqi, pakënaqësia për paketën e masave në Itali, revoltat londineze, spanjolle, revolucioni arab. Ku po shkon bota? Ku është Shqipëria në këto zhvillime të rruzullit mbarë? Sa të përgatitur janë shqiptarët për këto ndryshime rrënjësore që po përgatitet të ndodhin në të gjithë botën? Kush do të na udhëheqë shpirtërisht drejt këtyre ndryshimeve?

Javët e fundit krimet në vend tregojnë për një deformim të qenies njerëzore deri në ekstrem. Babai vret djalin, burri gruan, një tjetër grua gjymtohet si në filmat horror të një regjisori pervers dhe ende nuk i gjenden kryet… A janë këto ngjarje vetëm prodhim i situatës ekonomike, temperaturave të nxehta dhe gushtit që po përshkruhet si muaji i vrasësve mitologjikisht? Apo janë një shpërfaqje e një problematike rrënjët e së cilës duhen kërkuar më thellë. Pikërisht në atë krizën morale që ka përfshirë botën siç thotë Ramadan, krizën e vlerave njerëzore, në ndarjen e paqartë mes të mirës dhe të keqes, të drejtës e të padrejtës.

Ndoshta tani që kutitë nuk u hapën, zgjedhjet mbaruan dhe kombëtarja do t’ia fillojë nga e para, shpirti publik do të gjejë mundësinë të zgjojë ndërgjegjen publike dhe ta ndihmojë atë jo vetëm të kuptojë, por edhe ta ftojë në një bashkëbisedim mbi konceptet mbi të cilat do të vendosë të besojë se është ngritur bota dhe që sot më shumë se kurrë në erën e modernitetit janë në pikëpyetje: besimin apo arsyen, emocionet apo shpirtëroren, dashurinë apo keqdashjen, mes traditës dhe modernes, lirisë, barazisë universalitetit dhe qytetërimit.

Top Channel