Kujtohet vrasja e Azemit

12/09/2011 12:50

Prej 13 vjetësh, që pas ekzekutimit të Azem Hajdarit dhe truprojes së tij, demokratët bëjnë homazhe në memorialin pranë Partisë Demokratike, duke nderuar ish-studentin që drejtoi demonstratat për shembjen e regjimit komunist.

Duke folur me nostalgji për ditët kur vendosej e ardhmja demokratike e shqiptarëve, kryeministri Berisha e ngriti Azem Hajdarin në piedestalin e lirisë, duke e vlerësuar atë si tribunin legjendar të lirisë së shqiptarëve dhe maratonomakun e demokracisë.

“Ata, të cilët shkrehën plumbat e zinj mbi gjoksin e tij menduan dhe besuan se do të mund të eliminonin kauzën e tij, por gabuan rëndë. Sot, projekti i Azem Hajdarit, ëndrra e tij dhe e studenteve liberatorë, është më realitet se kurrë. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Shqipëria me reformat e saj po ecën e sigurtë drejt një horizonti të ri, drejt Shqipërisë vend i zhvilluar”, deklaroi Berisha.

“Ndaj, edhe njëherë dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta familjes Hajdari, familjes Çera në këtë përvjetor të rënies së tribunit të lirisë dhe sivllaut të tij, Besim Çera, të shpreh bindjen se idealet e lirisë së Azem Hajdarit do të lartësohen gjithnjë e më shumë në këtë vend, në këtë shoqëri”, vijoi kryeministri.

Topi: Azem Hajdari bashkëpunonte për kauza të mëdha

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi të hënën në mesditë një vizitë në familjen e “Pishtarit të Demokracisë”, Azem Hajdari, njërit prej politikanëve dhe deputetëve më të spikatur në historinë e demokracisë shqiptare, i cili humbi jetën tragjikisht 13 vjet më parë në Tiranë.

“13 vite natyrisht janë shumë, por ne që e kemi njohur Azemin, neve që na mungon shumë prania e tij, për ne sigurisht që janë shumë pak.Azemi ka qenë një njeri që ka demonstruar të jetë i lirë, edhe atëherë kur shumë njerëz ishin të kompleksuar. Por edhe pse kalojnë vitet, vështirë se gjendet një figurë paralele me Azem Hajdarin, për kurajon civile, për kurajon qytetare, për të demonstruar në çdo lloj mjedisi që njeriu, para se të realizojë vepra të mëdha, duhet të jetë së pari një njeri i lirë. E dyta, për të qenë i predispozuar për të bashkëpunuar, dhe Azemi ka qenë nga ata njerëz që dinte të bashkëpunonte për kauza të mëdha. Kjo është arsyeja që ai respektohet, pavarësisht që vitet kalojnë dhe ai mbetet gjithmonë një figurë shumë e freskët për shoqërinë dhe demokracinë shqiptare”, tha Topi.

Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit Shqiptar kujtoi me nderim e respekt të veçantë disa momente të paharrueshme të punës e të bashkëbisedimeve miqësore me të ndjerin Azem Hajdari, si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, duke vënë në dukje veçanërisht vullnetin, dëshirën e punën vetëmohuese të tij për të realizuar ëndrrën e hershme, konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.

Selami: Azemi, tribun i demokracisë

Eduart Selami, ish-kryetar i Partisë Demokratike deklaroi pak kohë më parë në emisionin ‘Top Story’ në Top Channel, se “rrëzimi i komunizmit është një nga momentet më të rëndësishme historike për Shqipërinë” dhe se është nder pjesëmarrja në të.

Selami u shpreh për fillesën e lëvizjes: “Unë jetoja në Qytetin Studenti, isha pedagog i ri dhe m’u duk serioze. Pati pedagogë që erdhën atje si Arben Pepa dhe mezi prisnim rastin që të ndaheshim nga komunizmi. Më vonë u bë një grupim, së bashku me Zef Brocin. Por, në atë kohë duhet të mendohej për të afërmit sepse frika ndaj diktaturës ekzistonte akoma.”

Kjo frikë çoi në ngurime për pjesëmarrjen në këtë lëvizje: “Po fillonte të ndihej fryma e lëvizjes nga Rënia e Murit të Berlinit, por sërish ekzistonte frika dhe ngurimi. Azem Hajdari ishte ai që më hoqi çdo lloj dyshimi, më dha shtytjen përfundimtare. Azemi ishte një tribun i demokracisë i cili nuk ka marrë meritat që i takojnë.”

Përsa i përket faktit se nga kjo lëvizje pati nga ata që “mbijetuan” në politikë dhe të tjerë jo, Selami u shpreh se “lëvizja ishte e hapur për këdo.”

“Azemi mbijetoi sepse kishte karizëm, ishte lider. Po ashtu edhe Berisha. Ato që nuk mbijetuan nuk kishin ç’ofronin më”, shtoi Selami.

Top Channel