Partia e Drejtësisë e cila në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re është në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës, të martën i ka drejtuar një kërkesë qeverisë së Hashim Thaçit.

Përgjigjia e qeverisë në lidhje me këtë kërkesë, sipas burimeve jo-zyrtare nga PD, pritet të përcaktojë të ardhmen e kësaj partie në koalicionin qeverisës. PD që drejtohet nga ministri Ferid Agani, i ka kërkuar qeverisë që “të ngrejë një komision ndërshtetëror për shqyrtimin e rikthimit të lëndës fetare në shkollat e Kosovës dhe plotësimin e ligjit për arsimin para-universitar”.

Po ashtu, kjo parti e cila ka 3 deputetë në Kuvend, ka kërkuar edhe “mundësimin e vijimit të mësimit të të gjithë nxënësve pa asnjë diskriminim fetar”.

Këto kërkesa janë bërë publike të martën në mesditë nga zyrtarë të kësaj partie, ku Feti Mediu ka thënë para mediave se do të jenë organet e partisë ato që në të ardhmen do të vendosin “nëse do të qëndrojnë në koalicion qeverisës ose jo”.
 
Ndonëse zyrtarisht nuk deklarohen, zyrtarë të PD-së në kushte anonime kanë thënë për Top Channel se Këshilli i Përgjithshëm i partisë pritet të mblidhet pasi qeveria të japë përgjigje në lidhje me këto dy kërkesa, dhe mbi bazën e vendimit të qeverisë pritet të vendoset edhe qendrimi në koalicion.

Por, gjatë së martës ka qenë e pamundur që të merret një qëndrim i qeverisë në lidhje me këto kërkesa, pasi zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Më 28 gusht Kuvendi i Kosovës me shumicë votash i ka thënë jo mësimit fetar në shkolla, dhe sipas Partisë së Drejtësisë deputetët i kanë bërë dëm të pariparueshëm shtetit të Kosovës.

Top Channel