Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini ka deklaruar se është e rëndësishme që Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialogun teknik.

Deklaratën e tij, Frattini e bëri pas një takimi të zhvilluar me ministrin e Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, në Romë.

Hoxhaj nga ana e tij ka nënvizuar se Kosova nuk duhet të mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk gëzon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

“Jemi i vetmi vend në Evropë që s’kemi liberalizim të vizave dhe që nuk kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Prandaj, kërkova sot ndihmën e ministrit Frattini që kosovarët të mos mbeten një popull i harruar”, ka deklaruar Hoxhaj.

Përsa i përket situatës në veri të Kosovës, shefi i diplomacisë kosovare ka vlerësuar se pa shkrirjen e strukturave paralele serbe, në këtë zonë nuk do të ketë kurrë paqe.

“Veriu i Kosovës është këndi i vetëm në Evropë ku prej 12 vjetësh nuk ka zgjedhje demokratike, nuk ka numërim të popullsisë, nuk ka drejtësi dhe sundim të ligjit. Kjo duhet të marrë fund. Serbia duhet t’i shpërbëjë strukturat ilegale dhe të mos ndalojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës”, ka nënvizuar Hoxhaj.

Top Channel